NGA: Erjon Skendaj
Qeveria premton thjeshtim të procedurave burokratike që shkaktojnë më së shumti radhë të gjata në sportelet e administratës duke ia besuar peshën më të madhe të shërbimeve portalit qeveritar E-Albania. Të parët që do të lehtësohen nga dokumentet fizike dhe procedurat rutinë do të jenë qytetarët që përplasen në dyert e shëndetësisë, sigurimeve shoqërore dhe në zyrat e gjendjes civile.
Romina Kostani, përgjegjëse e promovimit të E-albania tregon risitë e aplikacionit të ri që ndërthur 42 sisteme online. Lajmi i mirë për pacientët është se nuk do të kenë më nevojë për kartë shëndeti nëse kanë me vete kartën biometrike të identitetit. Reforma e qeverisë i jep akses një numër të madh përdoruesish pjesë e administratës publike që të gjenerojnë dokumente përmes portalit E-albania në emër të qytetarëve me kërkesën e këtyre të fundit.
E nëse dikush do ta ketë fizikisht dokumentin mund të vijojë ta printojë atë nga shtëpia përmes portalit qeveritar. Pyetja është se kur do të jetë operativ sistemi, pra me fjalë të thjeshta kur qytetarët nuk do të mbajnë më radhë për shkresurina.
(ed.me/BalkanWeb)
