DURRES- Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka bërë një apel të fortë mëngjesin e sotëm, për të gjithë qytetarëve që udhëtojnë drejt vendit tonë. Teksa ngrenë shqetësimin se një grup personash mashtrojnë udhëtarët duke falsifikuar letrat me vlerë, polica sigurimi, Porti i Durrësit këshillon dhe ndërgjegjëson udhëtarët që mos të presin polica sigurimi për automjete nga persona të paautorizuar dhe të pa liçensuar.

“Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës nisur nga rastet e shumta të konstatuara ditët e fundit nga ana e Kontrollorëve gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjeteve me targa të huaja që hyjnë në Portin e Durrësit, këshillon të gjithë udhëtarët që të kenë kujdes.

Nuk duhet të presin polica sigurimi për automjete gjatë kohës që udhëtojnë në traget, nga persona fizikë, të pa autorizuar dhe të pa liçensuar duke ofruar shërbimin në dorë dhe jo pranë një zyre agjensie ligjore për këtë shërbim. Nga data 01.07.2018 – 08.08.2018, në kuadër të rritjes së masave të kontrollit nga ana e Specialistëve të Policisë Kufitare Durrës është bërë e mundur bllokimi i një sasie të konsiderueshme polica sigurimi të parregullta, 30 raste janë proceduar. Tregoni kujdes dhe mos u mashtroni”, thuhet në njoftimin e Portit të Durrësit.

Sakaq, Policia Kufitare e portit këshillon qytetarët që për çdo shqetësim të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, pasi “Policia e Shtetit është 24 / 24 në 7 ditë të javës në shërbimin tuaj”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb