Skënderbeu i Korçës ka hyrë në histori duke u bërë skuadra më e suksesshme shqiptare në Kupën Evropiane në futboll. Skënderbeu do të përballet me Dinamon e Zagrebit në fazën e plejofit të Ligës së Kampionëve. Futbolli kosovar vlerësohet se ka një pjesë të meritës për këtë sukses të Skënderbeut, skuadrës që po dominon në futbollin e Shqipërisë në vitet e fundit, shkruan “Koha”.

Pjesë e Skënderbeut janë plot gjashtë futbollistë kosovarë. I fundit prej kosovarëve që kaloi te Skënderbeu është portieri Deniz Troshupa. Troshupa skuadrës korçare iu bashkua më 7 gusht dhe nuk ka debutuar ende.

Troshupa është i gjatë 197 centimetra, por kjo nuk është gjëja e vetme që e bën të veçantë. E veçantë tjetër e gardianit 21-vjeçar është që mban dy emra. Quhet Jacek Deniz Troshupa. Emri i parë është polak. Troshupa është nga Prishtina, por ka lindur dhe është rritur në Poloni. Nënën e ka polake e babanë shqiptar.

“I kam dy emra pasi emrin Jacek ma ka lënë nëna, ndërsa emrin Deniz ma la babai. Kjo është arsyeja që quhem Jacek Deniz Troshupa”, ka treguar portieri në një bisedë për gazetën.

Troshupa në pranverë u bë emër i njohur në rrethet e futbollit në Kosovë. Por te Skënderbeu e pret rrugë jo shumë e lehtë që të bëhet portieri i parë.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb