I veshur me uniformën e një admirali të flotës Britanike, me medalje dhe me dorën te shpata, por me kokën e zbuluar, kështu shfaqet mbreti Charles III në portretin e ri zyrtar që u zbulua dje. Fotografia e sovranit në këmbë është bërë në Kështjellën Windsor nga fotografi Hugo Burnand. Megjithatë, në Mbretërinë e Bashkuar kanë shpërthyer polemika, pasi portreti i tij kushtoi 8 milionë funte nga qeveria.
Protestat e republikanëve “Tetë milionë paund për këtë?
“Çfarë humbje e turpshme parash”, akuzojnë aktivistët, të cilët ishin shprehur kundër tij që në nëntor, në momentin e prezantimit. Lideri i sindikatës së mësuesve, Daniel Kebede, sipas asaj që shkruan BBC, komentoi me ironi mbi iniciativën: “Po i rrjedh çatia? Lagështia hyn nga korniza e dritares së plasaritur? Ajo që i duhet shkollës suaj është një imazh i mbretit Charles i shtypur në letër me cilësi të lartë”. Në vend të kësaj, Zëvendëskryeministri Oliver Dowden vlerësoi foton: “Të tregosh atë na kujton shembullin që jep Madhëria e Tij në shërbimin ndaj komunitetit.”
Zyra e Kabinetit njoftoi se kishte lënë mënjanë fonde për t’u ofruar të gjitha organeve publike – autoriteteve lokale, gjykatave, shkollave dhe forcave të policisë – një portret falas të mbretit Charles III si pjesë e një programi për të festuar monarkun e ri dhe për të vazhduar traditën që ka parë portrete zyrtare të Elizabeth II të ekspozuara në zyrat publike gjatë mbretërimit të saj të gjatë. Në çdo rast, shkollat dhe mijëra zyra të tjera publike nuk janë të detyruara ta ekspozojnë atë dhe mund ta kërkojnë pa pagesë brenda datës 2 shkurt në formatin A3, të printuar në letër “cilësi të lartë” dhe me kornizë lisi. Autori i shkrepjes është Hugo Burnand, tashmë fotografi i besuar i familjes mbretërore, i njëjti që bëri fotot zyrtare të kurorëzimit, fotot e dasmës të Charles dhe Camilla në 2005 dhe William dhe Kate në 2011.