Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Portugali do të mbahen më 18 maj. Data u njoftua të enjten nga presidenti i Portugalisë pas rënies së qeverisë së Luis Montenegro.
Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa theksoi se dëshiron të sigurojë stabilitetin e vendit, duke sqaruar se 18 maji është data e preferuar nga shumica e partive për mbajtjen e zgjedhjeve.

Prej disa javësh, kryeministri në largim Luis Montenegro ishte nën kritikat e opozitës, e cila e kritikoi atë për një konflikt interesi për shkak të transaksioneve të biznesit familjar.
Opozita u ankua se kompania Spinumvira, e themeluar nga Montenegro në vitin 2021 ka përfituar nga emërimi i tij në krye të qeverisë portugeze dhe ka nënshkruar kontrata me kompani të ndryshme private.

Kryeministri në largim mohon të ketë ndodhur diçka e paligjshme dhe thekson se biznesi tashmë është i djemve të tij.
Megjithatë, ai shmangu të japë çdo informacion për klientelën e kompanisë. Pavarësisht zhurmës, ai synon të kandidojë sërish në zgjedhjet e ardhshme, të tretat që nga viti 2022 në Portugali.
Sipas sondazheve, Aleanca Demokratike e Montenegros mund të rrisë përqindjet e saj, krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në mars 2024.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb