Ligji i ri mund të kthehet si një bumerang: Portugalia, për habinë e shumë njerëzve, hoqi papritur praktikën sipas së cilës edhe punëtorët migrantë që hynë ilegalisht në vend mund të marrin një leje pune. “Kjo është vetëm një përshtatje me rregullat evropiane,” thotë sekretari i shtetit, Rui Armindo Freitas.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare megjithatë besojnë se ky është një lëshim për partitë e djathta populiste që angazhohen dhe nxisin kundër emigrantëve. Por mbi të gjitha, është një provë e qartë se politika e Portugalisë ndaj ardhjes së të huajve është mjaft jokoherente – të paktën deri më tani.
Fillimisht leja pastaj ardhja
“Autoritetet e imigracionit AIMA kanë grumbulluar rreth 400 mijë aplikime për legalizimin e statusit”, shpjegon sekretari i Shtetit Freitas, në një intervistë për DW. “Procedimi i kërkesave, disa prej të cilave janë paraqitur dy vite më parë, duhet të organizohet më së voni deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ne duam të zgjidhim problemet që janë shtuar ndër vite”, siguron Rui Armindo Freitas. Që nga qershori, migrantët që duan të punojnë në Portugali duhet të aplikojnë së pari për lejen e qëndrimit në ambasadën përkatëse portugeze jashtë vendit.
Ekonomia ka nevojë për punëtorë të huaj
Por kjo masë ka shkaktuar menjëherë indinjatë. Në shumë nga vendet tradicionale të origjinës së emigrantëve, Portugalia nuk ka ambasada apo konsullata. Punëtorëte bujqësisë dhe të korrjeve, shumica e të cilëve vijnë nga Nepali ose Bangladeshi, tani duhet të aplikojnë për vizë në ambasadën portugeze në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi.
“Është krejtësisht jopraktike”, thotë sekretari i përgjithshëm i shoqatës së fermerëve portugez, Luís Mira. “Ne kemi nevojë për njerëz në kohën e korrjes, jo dikur më vonë. Qeveria ka për detyrë të lejojë punëtorët të vazhdojnë të vijnë në Portugali shpejt dhe pa shumë burokraci”.
Ekstremistët nxisin kundër migrantëve
Në fakt, asgjë nuk funksionon më në Portugali pa punëtorë të huaj: emigrantët nga vendet aziatike janë të punësuar kryesisht në bujqësi, duke mbledhur perime dhe ullinj me paga të ulëta dhe duke mbledhur manaferrat që më pas eksportohen në Gjermani. Pa brazilianët, shumë restorante dhe kafene do të detyroheshin të mbyllnin dyert e tyre, afrikanët tradicionalisht punojnë në kantiere ndërtimi.
Shumë prej tyre fillimisht erdhën në Portugali pa dokumentet e nevojshme. Ata paguajnë taksa dhe kontribute, por shpesh janë ende në pritje të një leje qëndrimi. Dhe megjithëse mbështesin ekonominë dhe sistemet sociale, populistët nxisin urrejtje ndaj tyre.
Partia e krahut të djathtë radikal Chega, e cila fitoi shumë mandate në zgjedhjet e fundit, po kërkon kuota imigracioni dhe madje një referendum për imigracionin. Sekretari i Shtetit Rui Armindo Freitas përgjigjet: “Ne nuk duam më pak emigrantë, por rregulla të qarta për imigrimin e punëtorëve. Gjithashtu duam që çështja të mos përdoret nga ekstremistët”.
“Portugalia është e vetëdijshme për avantazhet e një shoqërie multikulturore,” thekson sekretari. Rregulloret e reja i referohen garantimit të të drejtave dhe sigurisë së nevojshme për njerëzit që vijnë në Portugali: “Ne duhet të integrojmë ata që vijnë, kjo është e rëndësishme. Ekonomia jonë ka nevojë për punëtorë të huaj për rritje. Dhe rregullat e reja janë të mira si për ata që vijnë në Portugali ashtu edhe për ata që tashmë jetojnë këtu.” Gjithashtu parandalon që emigrantët të bëhen viktima të rrjeteve të paligjshme të kontrabandës.
A po rritet numri i emigrantëve të paligjshëm?
Por ndërsa numri i kërkesave për leje qëndrimi të paraqitura jashtë vendit ra me gati një të katërtën në tre muajt e fundit, sipas organizatave të ndryshme joqeveritare, shumë njerëz ende vijnë në vend ilegalisht: “Pothuajse vetëm të huajt punojnë në fusha dhe në restorante. “Janë gjithnjë e më shumë, vetëm duhet të ecësh me kujdes nëpër rrugë për ta vërejtur dhe vijnë se duhen”, thotë Alberto Matos nga shoqata Solim.
“Nëse ata emigrantë nuk janë më në gjendje të legalizojnë situatën e tyre pas mbërritjes, numri i imigrantëve të paligjshëm do të vazhdojë të rritet.” Dhe atëherë rregulloret e reja të imigracionit në Portugali do të dështonin./ DW