Nga: MIMOZA KOÇIU *

Edhe këtë vit, veç dy ditë zgjati vrulli emocional që rivjen çdo vit më 8 dhjetor në Shqipëri. Për dy ditë mburren e shahen reciprokisht protagonistë, pjesëmarrës, sehirxhinj, ziliqarë a të vrerosur nga ndryshimi që mori udhë atë të shtunë dhjetori 1990. E kjo duke harruar se lëvizja studentore që nisi pa kthim më 8 dhjetor ishte një proces që vazhdoi në datën 9, kur studentët braktisën auditorët ku i kishin thirrur për leksione të detyruara në ditë pushimi, e të organizuar u nisën drejt sheshit “Skënderbej”. U bllokuan te Liceu Artistik e provuan në kurriz pa paralajmërim dhunën policore të një diktature, që e kishte të qartë se po jetonte orët e fundit të saj. Një proces që frymoi fort më 12 dhjetor, kur u shpall themelimi i Partisë Demokratike, që zyrtarizoi pluralizmin politik në vend, e më 17 dhjetor, kur edhe ‘de jure’ u njoh si e tillë, me dekretin që lejonte krijimin e organizatave politike në vend. Një proces që kulmoi me rrëzimin e bustit të diktatorit më 20 shkurt 1991 dhe heqjen e emrit të tij nga Universiteti i Tiranës pas presionit të grevës së urisë së studentëve, për t’i hapur rrugën ndërtimit të një sistemi të ri, demokracisë.
Nëse lëvizja studentore u nxit nga rrethana, aktorë a faktorë, kjo është një temë që, pa mëdyshje, meriton një debat të thelluar, por ishin me mijëra studentë ata që bënë aktin e parë, grumbullimin masiv në rrugë, çka u hapi rrugën e i hoqi frikën a dilemat çdo “të rrituri” tjetër, që iu bashkua lëvizjes studentore, si protagonist i vijës së parë a si pjesëmarrës mbështetës i saj.
Fatkeqësisht, edhe këtë vit, dritat e skenës i mori gara foshnjarake se, kush kishte qenë ku në atë lëvizje. 24 vjet më vonë, lëvizja studentore u përkujtua me të paktën tri palë aktorë, në tri evente të ndryshme. U shpall edhe një udhëheqës i ri i lëvizjes, përtej atij që studentët e dhjetorit njohin, Azem Hajdarin. E ky “udhëheqës” i ri ishte kryeministri aktual, ish-pedagogu i Arteve, që në ditët e para të lëvizjes studentore, siç ka rrëfyer vetë me zë e figurë, ndodhej në Greqi. Por kjo nuk e pengoi një ministër të tijin që ta shpallte udhëheqës, pa iu dridhur qerpiku, mu përpara kamerave, përmes të cilave e ndiqnin me mijëra ish-studentë të dhjetorit, dëshmitarë të gjallë të lëvizjes, që nuk e pa protagonist të ditëve të para shefin e tij.
Ajo që i shpëtoi kremtimeve të 8 dhjetorit ishte një reflektim krejt i thjeshtë i ish-studentëve që në vitin 1990 e donin Shqipërinë si gjithë Europa, e që me rrëzimin e bustit të diktatorit, e ndanë qartazi vendin tonë nga periudha e diktaturës.
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se 24 vjet më vonë fotot e Enver Hoxhës do shfaqeshin krenarisht në ambiente publike, në eventet e qeverisë e me pjesëmarrjen e saj?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se qeveria as nuk do e vinte ujin në zjarr për reagimet publike kundër fotove, por si me magji do i zhdukte ato vetëm pasi ambasadori amerikan i quajti “fyerje për shqiptarët”?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se në vitin 2014, një qeveri e një vendi të NATO-s e kandidat i Bashkimit Europian, do dekoronte zyrtarë të diktatorit, me një mënyrë krejt ilegale, tamam siç bënin komunistët e orëve të para?
Cili do e kishte imagjinuar se 24 vjet më vonë, Shqipëria ende nuk do ishte e ndarë, as ‘de facto’ e as ‘de jure’ nga aktet e diktaturës e as nga aktorët e saj?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte çuar ndër mend, se 24 vjet më vonë, dekomunistizimi i shoqërisë dhe hapja e dosjeve do ishte një çështje e pazgjidhur?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte paramenduar se ata që u vranë, burgosën e përndoqën në diktaturë do ishin ende pa shpagim 24 vjet më pas, përballë ish-kuadrove të larta komuniste publikisht aktivë, a duke shijuar pensionin e mirë që ua garantoi demokracia?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte imagjinuar se 24 vjet më vonë, të rinjtë në Shqipërinë që gëzon lëvizjen e lirë, do kishin prioritet rendjen pas partisë më të fortë, që të mund t’u sigurojë një vend si drejtor?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se në Shqipërinë pluraliste, do kishim vetëm një palë politike në parlament, që voton e vetme ligje me 98-100%, duke konkurruar fort rekordet e votimeve të diktaturës, e ta konsiderojë këtë një normalitet demokratik?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se për 24 vjet shqiptarët më shumë do sundoheshin sesa të udhëhiqeshin?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se 24 vjet më vonë, liritë e të drejtat e njeriut do ishin një sfidë, pasi shteti ka rilindur arbitraritetin, dhunën e burgun, pa pyetur për ligje e Kushtetutë, që ua garanton ato të drejta e liri?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se 24 vjet më vonë, vendi që renditej si diktatura më e egër e Europës Juglindore, do kishte një rekord të ngjashëm me korrupsionin?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se 24 vjet më vonë, “elitat” në këtë vend do bëheshin me ata që dinë të servilosen më mirë?
Cili nga studentët e dhjetorit ’90 do e kishte përfytyruar se e njëjta klasë politike do vazhdonte ciklin e saj për 24 vjet në këtë vend?
Dhe e fundit për këtë renditje, por jo për listën e paradokseve me të cilat bashkëjetojmë, cili prej nesh do e imagjinonte të kishim një kryeministër që pozon me një papagall pellushi, si komunikim ironik me opozitën?
Nëse do duhej një garë më 8 dhjetor, duhej të ishte ajo e arsyeve, por edhe rrugëdaljeve për këtë tranzicion të zvarritur, një labirint pa dalje në të cilin vërtitemi pa pushim, mes pasqyrave që politika na i shton si diçka të re, për të na inkurajuar në këtë mundim sizifian që zgjat prej 24 vitesh. Shumë pikëpyetje, dilema e pasiguri dhe pak shpresë është realiteti i trishtë në të cilin jetojnë ish-studentët e thinjur tashmë bashkë me pasardhësit e tyre. E këto paradokse po prodhojnë një virozë ngjitëse, që nga rrjetet sociale ka përfunduar nëpër media, koprolalinë. Bëhet fjalë për një çrregullim të individëve, që nuk kontrollojnë dot përdorimin e fjalëve vulgare. Me to, me sa duket, është më e thjeshtë të përshkruhet publikisht kjo demokracia jonë 24-vjeçare.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: