Nga: BEN ANDONI*
Arkitektët Vittorio Ballio Morpugho dhe Marco Petreschi nuk e kanë njohur kurrë njëri-tjetrin. Të dy i përkasin kohëve të ndryshme, por me fate të ndryshme. Nëse i pari, që i shërbeu Erës Fashiste i la Shqipërisë dhe historisë së saj të arkitekturës një nga objektet më të vlerësuara të historisë së ekzistencës, i dyti, këtë godinë e përjetësoi në almanakët modernë të arkitekturës. Këtë javë, pas një tollovie të pafundmë, ku në mes ka pasur shumë politikë, akuza, pretendime, gjyqe, Shqipëria ka marrë në dorë sërish një nga objektet emblematikë të saj të trashëgimisë, që megjithë ndryshimet moderne, qëndron sërish në avantgardë të zhvillimeve të arkitekturës ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë është tashmë me një pamje krejt të re, por njëkohësisht njësoj si dekada më parë.

Kompleksi i ri ndërtimor bashkon pikërisht imazhin unik të godinës së ndërtuar prej Morpugho-s të bashkuar me identitetin e institucionit, e bankës si administratë, por edhe imazhin e ri simbolik të ekonomisë shqiptare, që u realizua nga arkitekti i kohës sonë Marco Petreschu.
Ajo që duhet të kujtohet është se: trashëgimisë sonë kulturore i është lënë një mesazh i jashtëzakonshëm dhe një tregues krenarie, sa i përket ndërtimtarisë. Konservatorizmi bashkuar me modernen në godinën e Bankës së Shqipërisë kanë përcjellë bashkë, por të materializuar me një mantel të qelqtë, një nga elementët më të gjetur dhe më të goditur të projektit të ri të godinës së Bankës, ku aksi që lidh Lindjen me Perëndimin nuk është thjesht element që lidh punën e jashtëzakonshme historike të Morpugho-s me punën e re të Petreschu,-t por është edhe hapi i ri për godinën e re.
Edhe pse u përfol shumë, dhe jo pa të drejtë, mbase kjo vonesë dhe puna e jashtëzakonshme e arkitektit italian duhet thënë se është në një farë mënyre e justifikuar për logjikën e saj sesi është paraqitur. Tashmë i takon ekonomisë shqiptare që të përshfaqë me njerëzit dhe zhvillimet e saj madhështinë e tregut dhe imazhin e asaj që administron pasurinë tonë kombëtare…Për të vlerësuar duhet të kujtojmë se ai përbën edhe një mësim për shqiptarët, në mënyrën sesi projekti i ri e respekton deri në detaje atë të vjetër..

Pak retrospektivë
Nisma për ndërtimin e Selisë Qendrore të Bankës filloi herët aty rreth viteve ’20 të shekullit XX. Dhe, vendndodhja e saj u caktua përfundimisht aty ku ishte qendra e dikurshme. Por debati në atë kohë ishte i vështirë mes arkitektëve, qoftë edhe sa i përket vendit ku do vendosej. Luftohej që godina të vendosej atje ku ndodhet sot e kësaj dite, apo para asaj hapësire që ishte para “xhamisë së vjetër”, ku sot ndodhet “Partizani i panjohur”. Kur të gjitha u sqaruan, krerët e BKSH-së morën një truall afër hapësirës së sheshit me sipërfaqe 3000 m2.

I pari që e mori përsipër ndërtimin e godinës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë ishte arkitekti italian Fiorini, por kostoja e projektit të tij i kalonte caqet e atëhershme të mundësive dhe projekti iu besua asaj çka kishte hartuar Vittorio Ballio Morpurgo. Deri më atëherë, qendra e Bankës ishte në Durrës, kurse filiali në Tiranë ndodhej në një shtëpi të familjes Hobdari në “Rrugën e Dibrës”.

Interesi i madh i Italisë për një godinë speciale duket në shkëmbimet e njerëzve që merren me ideimin e saj, por në dokumente del se edhe vetë Musolini është tejet i ndjeshëm ndaj ndërtimit të saj. Morpurgo saktëson çdo element dhe në fund të vitit 1935 mbarojnë të gjitha debatet rreth projektit të selisë qendrore që do vendosej në kryeqytet. Por nuk ishte e thënë që gjërat të zgjidhen lehtë, pasi debatet vazhdojnë dhe gjatë vitit 1936 dhe ato lidheshin me fondin financiar për ndërtimin, që shkoi nga 400.000 në 500.000 franga ari, pa llogaritur pajisjet e brendshme. Tenderin e ekzekutimit të projektit e fitoi më tetor të vitit 1936 firma ndërtimore italo-shqiptare “Staccioli & Fortuzi” me qendër në Tiranë, kurse inxhinieri Cipriani ndjek me skrupulozitet ecurinë e projektit. Godina u ndërtua prej punëtorëve shqiptarë, por që drejtoheshin nga teknikë mjeshtra italianë. Elementëve ndërtimore u kushtohet kujdes deri në fund. Betonarmeja u punua mirë për të siguruar strukturat e kubesë së sallës qendrore, muraturën e mjedisit që ruan thesarin dhe mbarë godinën nga lëvizjet sizmike. Soletat dhe tullat u bënë nga vetë fabrika e firmës “Staccioli & Fortuzi”, guri u përpunua nga një makineri e prurë posaçërisht nga jashtë dhe materiali i qeramikës u soll prej Italisë. Punimet prej druri u realizuan nga firmat e shquara vendase “Staccioli & Fortuzi” dhe “Bega”, kurse instalimet hidrike, kaloriferike, elektrike dhe higjenike u kryen prej firmës STISE në Tiranë.

Arkitekti Morpurgho gjendet kudo dhe ndërtesa në fund kushtoi plot 520.000 franga ari ose 26.000 napolona flori me gjuhën e popullit. Në mbarim, ideja e Morpugho-s është e gjallë: Identiteti arkitektonik përfshin unitetin e dy fasadave, krahun verior për selinë e Drejtorisë Qendrore dhe krahun lindor për selinë e degës së Tiranës.

Në ditët tona, vlerat e Bankës e kalojnë kohën. Tiparet arkitektonike të selisë së Bankës ruajnë vlera artistike por shumë edhe historike. Ato tregojnë moshën e saj, si një objekt ndërtuar mes dy Luftrave të Mëdha nga një arkitekt i erës fashiste. Kolonat katërkëndëshe na përcjellin në Rinashimenton italiane. Figuracionet na përcjellin në artin helenistik-romak, kurse teknika e qeramikës në atë egjiptian. Ky konceptim u bë nga artisti roman Alfredo Biagini, që me këtë ngjisje përçonte teknikën e stilit fashist dhe importimin e këtij stili në një vend që shpejt projektohej të bëhej kolonia e tyre. Shpjegimi në fakt i arkitektëve është shumë patetik: bashkëjetesa e gurit me qeramikën tregon solidaritetin e thesarit që ajo ruan kurse qeramika finesën e veprimeve bankare. Me pak fjalë kjo është simbolikisht edhe rruga e përparimit që fashistët po trumbetojnë për shqiptarët. Realizimi, në fakt, është i mrekullueshëm.

Salla qendrore që tregon imazhin e interiorit është madhështore dhe muret i ka të mbushura me mozaikë termash arkaikë dhe rinashimentalë, vepra të artistit italian Vitorrio Russo, të para me këndvështrimin e shekullit XX, të ardhuru nga punishtet e Venedikut. Nën sallën qendrore ndodhet kasaforta madhështore e bankës, ku ruhet pasuritë kombëtare në ar, argjend, stoli bashkë me hambarin e monedhave.
Më 30 tetor të vitit 1938 ajo u inaugurua dhe guvernatori i ri i bankës Antonio Mosconi, ish-ministër i financave të Italisë, drejton të gjithë protokollin. Nga pala shqiptare merr pjesë princesha Sanije dhe ministra të pafundëm. Ky është momenti…

Vizioni i ri
Banka e Shqipërisë e ruajti imazhin e saj përkrah të gjithë zhvillimeve të vendit dhe ky nuk u ndalua në dekada me çfarëdo ndryshimi ekonomiko-shoqërore të vendit. Por bankës i lindi nevoja për zgjerim dhe vetë arkitekti i saj i talentuar Morpugho, në të gjallë, e la të hapur mundësinë e hapjes së godinës jo në lartësi por në gjerësi. Parashikimi i tij u dha mundësi arkitektëve të sotëm të ndërtonin realisht vizionin e tyre.

“Për 72 vjet jete ishte tamam momenti i duhur për një ndërhyrje në objekt, për një restaurim dhe për një zgjerim. Më duket, shkruan arkitekti Maks Velo, sikur Morpugho e kishte parashikuar këtë ndërhyrje dhe kishte lënë të gjithë hapësirën e nevojshme në pjesën e pasme të bankës për këtë operacion”. Dhe, arkitekti Marko Petreschi e mori me shumë angazhim këtë detyrë. “Sfida e përballjes me projektin e Bankës së Shqipërisë nuk ishte e lehtë pa ndërmarrë më parë një studim kritik të thelluar për ndërtesën ekzistuese të projektuar nga Vittorio Ballio Morpugho, personalitet krijues me formim të veçantë si arkitekt roman, puna e të cilit bazohet në një hulumtim interesant të stilit të monumentalitetit institucional e festiv, ndërthurur me një gjuhë me ekspresivitet racionalist. Një tjetër element, thotë Petreschu, është dëshira e dukshme për t’u rilidhur, nëpërmjet punës së tij krijuese me traditën klasike, me veprat madhore të së shkuarës, në një linjë vazhdimësie, por edhe duke i aktualizuar me kohën”.

Dhe arkitekti me ekipin e tij iu fut punës nga fillimi, duke hulumtuar projektet e skicat nga viti 1966, koha kur paraardhësi i tij ishte ndarë nga jeta. Puna e parë u gjetën vizatimet e hershme për t’i rikthyer ndërtesës shkëlqimin që kishte dikur.. Vizatimet e gjetura mundësuan eliminimin e mbivendosjeve dhe shtesave të bëra me kohë dhe shpesh pa kriter, për ta rikthyer këtë ndërtesë në konfigurimin origjinal… “Vizatimet kanë mundësuar rikuperimin e disa detajeve të Morpugho-s edhe në ndërtesën e re, e cila u konfigurua duke respektuar atë ekzistuese, nëpërmjet shprehjes së një monumentaliteti të hijshëm, të shoqëruar sidomos në pjesën e hyrjes nga rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit”, me një metafizikë pa dekoracione të tepërta, të pastër e transparente”, shkruan ai.

Mund të shkruhet pafund, por godina mbresëlënëse është realisht kontributi ynë në post-modernitetin e arkitekturës kurse kontributi i arkitektit italian na jep një mundësi më të madhe, që të ballafaqohemi me arritjet më të mira të ndërtimtarisë bashkëkohore.

Historia e Bankës në Shqipëri
Nga fundi i shekullit XIX e sidomos nga fillimi i shekullit XX filluan të zhvillohen në qytete dhe më
pak në fshat marrëdhëniet kapitaliste, të cilat përgjithësisht ishin në fazën fillestare. Një zhvillim i tillë i ekonomisë gjeti pasqyrimin e vet edhe në fushën e monedhës dhe të kreditit. Në Shqipëri gjatë periudhës së pushtimit turk u shtri sistemi monetar dhe i kreditit të perandorisë turke. Nga fundi i shekullit XIX filluan të zhvillojnë veprimtarinë e tyre ndërhyrëse në ekonominë e vendit tonë, Banka Otomane dhe Banka Bujqësore Turke. Banka Otomane ishte krijuar me 4 shkurt 1863 dhe ishte emisioni e perandorisë së Turqisë nën kontrollin dhe drejtimin e kapitalit Anglo-Francez. Banka Otomane hodhi në qarkullim në Shqipëri edhe monedhat që qarkullonin edhe në pjesët e tjera të perandorisë: lirë ari, mexhide dhe groshare prej argjendi, para prej nikeli etj. Banka otomane në Shqipëri zhvilloi në fushën e kreditit një veprimtari tejet të kufizuar. Degët e saj shtriheshin në Shkodër, Janinë, Shkup dhe Manastir. Ndërsa, Banka Bujqësore Turke në Shqipëri u themelua në vitin 1888 nga kapitali turk, i “arkave të nevojave publike” që ishin krijuar në vitin 1883 , mbas riorganizimit të “arkave krahinore”, të krijuara në vitin 1867. Kapitali i Bankës Bujqësore turke ishte 10 milionë lira turke. Kjo bankë kishte degët e veta në vilajetet, si dhe arka dhe agjenci në qytete të ndryshme. Kjo strukturë organizative përputhej me ndarjen administrative si dhe më vëllimin e veprimeve bankare. Që nga krijimi e deri në vitin 1908 ajo kishte 466 degë, arka e agjenci. Banka bujqësore turke në Shqipëri ishte një institut krediti. Ajo jepte huara me afat të shkurtër, afatmesme 1-3 vjet dhe afatgjatë 3-10 vjet, pranonte depozita , shërbente si ndërmjetëse dhe ekzekutuese e disa veprimeve financiare të shtetit turk në krahinat e perandorisë. Niveli i kamatës për kredinë ishte 4 për qind në vit, ndërsa për kredinë afat-mesëm ishte mbi 6 për qind në vit.

Përpjekjet për krijimin e një banke shqiptare pas shpalljes së Pavarësisë
Qeveria e Ismail Qemalit bëri përpjekje për krijimin e Bankës së Shtetit Shqiptar, me anë të së cilës do të bëhej një hap i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve monetare dhe të kreditit në Shqipëri. Me 4 tetor 1913 ajo përfundoi një marrëveshje me përfaqësuesit e bankës austriake “Winer Bank Verein” dhe bankës “Banka Comerciale Italiana”. Në bazë të kësaj marrëveshje do të krijohej Banka Kombëtare e Shqipërisë, si një institucion i shtetit shqiptar i dhënë në konçension këtyre dy bankave. Konçensioni jepej për një periudhë deri në 60 vjet dhe mund të zgjatej më tej në marrëveshje me qeverinë shqiptare. Kapitali i Bankës do të ishte 10 milionë korona ose 10.5 milionë lireta. Ky kapital do të formohej në monedha ari dhe do të derdhej pjesë- pjesë, sipas nevojave të Bankës. Në Bankën e Shqipërisë të dy bankat e huaja do të zotëronin pjesë të barabarta aksionesh. Banka Kombëtare e Shqipërisë do të kishte të drejtën e nxjerrjes së kartëmonedhave shqiptare , të cilat do të kishin fuqi ligjore në të gjithë vendin. Rrjedha e ngjarjeve politike, ushtarake dhe ekonomike bëri që Banka Kombëtare e Shqipërisë e porsa krijuar të mos arrinte të zhvillonte veprimtarinë e saj. Ajo u kufizua vetëm me disa veprime me qeverinë shqiptare dhe me privatët.

Si e krijoi Zogu, Bankën Kombëtare të Shqipërisë
Krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë me vitin 1925 shpuri objektivisht në krijimin e sistemit monetar dhe të kreditit në vend dhe ky përbënte një hap përpara dhe një kusht për zhvillimin e mëvonshëm ekonomik të Shqipërisë. Bazë e sistemit monetar u përcaktua frangu ar dhe nënfish u caktua Leku, i cili ishte baraz me gjysmën e frangut ar. Bankës Kombëtare të Shqipërisë do të nxirrte kartëmonedha dhe të priste monedha prej ari prej 100, 20 10 franga ar. Gjithashtu në bazë të statusit dhe të ligjit organik të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, kartëmonedhat do të shkëmbeheshin në valutë ari të shtetit shqiptar, në bileta emisioni të huaja të bankave të vendeve ku do të shkëmbeheshin lirisht në ar dhe çeqe. Gjithashtu në ketë periudhë u ndalua edhe eksportimi i arit. Sistemi i kreditit dhe politika e kreditit bankar, që zbatoi Banka Kombëtare e Shqipërisë mbështeti gjerësisht hyrjen e kapitali italian në ekonominë shqiptare. Kryesisht u kreditua sektori i tregtisë, ndërsa gjatë viteve 1925 -1939 u rritën me ritme të shpejta depozitat bankare.

Sistemi monetar në Luftën e Dytë Botërore
BKSH pas 7 prillit të vitit 1939 deri në shtator 1943 ishte nën drejtimin e pushtuesve italiane. Në fushën e monedhës u zbatua politika e inflacionit, duke rritur së tepërmi sasinë e monedhës në qarkullim. Ndërsa në fushën e kreditit ajo si dhe Banka e Napolit dhe Banka Kombëtare e Punës zgjeruan politikën e kreditit të zgjeruar, kryesisht në dobi të qëllimeve të Italisë. Në këtë mënyrë, Italia bëri reformën e sistemit monetar dhe të kreditit dhe në një mjet për financimin dhe kreditimin e përgatitjeve për agresionin e saj në Ballkan.

Më 20 prill 1939 ndërmjet qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare u nënshkrua marrëveshja ekonomike, doganore e valutore. Me këtë marrëveshje u bënë ndryshime rrënjësore në legjislacionin tonë monetar dhe të kreditit. Në marrëveshjen e prillit 1939 përcaktohej që kartëmonedhat në franga shqiptare, të lëshuara prej Bankës Kombëtare të Shqipërisë ishin të konvertueshme me anë çeqesh ose urdhër-derdhjesh në sasinë ekuivalente me lira italiane të përdorshme në Itali. Pra u hoq standarti i arit dhe i devizave në Shqipëri. Menjëherë pas kësaj Banka Kombëtare e Shqipërisë ndryshoi shenjën e monedhës sonë nga “franga ar” në “franga shqiptare”. Në të njëjtën kohë ndryshoi edhe raporti midis frangut me liretën italiane dhe valutat e shteteve të tjera. Që në marrëveshje theksohet se raporti midis frangut dhe liretës italiane nuk do të caktohej si më parë, në bazë të përmbajtjes së tyre në ar, por në bazë të paritetit të caktuar 1 frang shqiptar baraz me 6.25 lireta italiane…Në vitin 1938, Banka Kombëtare e Shqipërisë kishte një mbulim të qarkullimit monetar prej 18.9 milionë franga ar, nga të cilat 2.4 milion franga ar në bono të thesarit dhe tituj të tjerë të shtetit italian, 8.9 milionë franga ar në disponibilitete valutore në Banca D’Italia dhe 7.6 milionë në ar. Ndërsa në vitin 1942 mbulimi i qarkullimit monetar ishte 164.8 milionë franga shqiptare, nga të cilat 80.5 milionë franga shqiptare në bono të thesarit dhe tituj të tjerë të shtetit italian, 76.7 milionë franga shqiptare në disponibilitetet pranë Banca d’Italia dhe 7.6 milionë franga shqiptare në ar të depozituara në Romë. Brenda një kohe të shkurtër në vitin 1939, u vu në qarkullim emisioni i ri i kartëmonedhave. Kartëmonedhat u shtypën në stabilimentet e Banca d’Italia dhe u hodhën në qarkullim pas pushtimit të Shqipërisë, duke filluar në të njëjtën kohë heqjen nga qarkullimi, monedhat prej argjendi prej 1 dhe dy frangashe shqiptare duke i zëvendësuar me monedha prej 5 dhe 10 lekë. Në shtator u vu në qarkullim edhe monedha prej dy lekësh.

Me kapitullimin e Italisë fillon një periudhë e re robërimi për Shqipërinë, periudha e pushtimit gjerman (shtator 1943-nëntor 1944). Në kohën e pushtimit gjerman, sistemi monetar i Shqipërisë, ndodhej më një krizë të thellë. Në vendin tonë., ndryshe nga vendet e tjera të pushtuara nga Gjermania nuk u përdorën markat e pushtimit…Përdorimi i sistemit monetar për qëllimet politike ushtarake dhe ekonomike të kohës shpuri në rritjen e konsiderueshme të kartëmonedhave në qarkullim. Kështu nga 199.6 milionë franga shqiptare që ishte sasia e kartëmonedhave në qarkullim në fund të gushtit 1943, në fund të vitit 1943 ajo arriti në 311.7 milionë franga shqiptare dhe në fund të nëntorit 1944 në 379.8 milionë franga shqiptare duke ndikuar kështu në thellimin e inflacionit. Në këtë kohë veprimtaria e kreditit bankar u kufizua shumë. Karakteristikë kryesore në fushën e monedhës gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania ishte hedhja e monedhës në qarkullim në sasira të tepruara, zhvleftësimi i saj dhe rritja e pandërprerë e inflacionit…
Kjo është një histori e shkurtër e sistemit bankar në Shqipëri deri në vitet ’80, e cila është marrë nga “Sistemi monetar dhe krediti bankar” i Kostaq Postolit, botuar në vitin 1983.
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: