Një tweet i Iker Kasijasit ditën e sotme ka bërë të flasin tifozët e Juventusit, por jo vetëm. Ikeri, që së bashku me Zamorën janë portierët më të mirë të historisë së Spanjës, në fillim të majit u ndje keq dhe u operua me urgjencë për shkak të një infrakti akut të miokardit. Pas një jete të tërë në Madrid dhe katër viteve te Porto, ky ishte akti i fundit i karrierës së tij. Ndërsa tani vjen ky postim.

Interpretimi nuk është i thjeshtë. Kasijas risjell një imazh të Hjuxh Xhakman në rolin e magjistarit te filmi “The Prestige” dhe thotë se merkaton e Juventusit e bën Hudini: “Magji e pastër”! Po për kë e ka fjalën? Iker Kasijas nuk ka dashur të komentojë më gjatë, por disa interpretime mund të bëhen…

Kasijas mund të jetë i befasuar nga zërat për Rabiot, por mbi të gjitha për De Ligt. Francezi është më afër sesa holandezi, por çfarë dysheje nëse vijnë bashkë. A mjafton kjo për të bërë një postim? Mbase jo…

Ideja më magjepsëse, ose më e njohura mes atyre që në Spanjë kërkojnë të interpretojnë postimin, ka të bëjë me nofkën që Iker së bashku me Ramosin i dhanë Izkos kur luanin te Reali: të dy e quanin mesfushorin “Magji”.

Kasijas dhe Bufon gjithnjë kanë pasur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin dhe mbase kush e di, Kasijas mund të dijë ndonjë gjë për një rikthim të mundshëm të Xhixhit në Torino si zëvendës i Sheznit apo si drejtues. Duket si e pamundur kjo, por asnjëherë nuk i dihet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb