*Basha: Jemi gati të shtrijmë dorën e bashkëpunimit, por nëse qeveria vazhdon, ka vetëm një rrugë përballja me popullin sovran

* Mediu: Ti themi jo pushtetit të marrëzisë dhe si njerëz me dinjitet të votojmë për njerëzit e përkushtuar për banorët

DURRËS- Partia Republikane ka çelur sot në Durrës fushatën elektorale, duke garantuar mbështetje për dy kandidatët e Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit dhe atë të Shijakut. I pranishëm në ceremoninë e çeljes ë fushatës nga PR kreu i Partise Demokratike Lulëzim Basha i cilësoi kandidatët e djathtë persona të punës dhe dinjitetit. Ai u shpreh se vota në 21 qershor do jetë votë për të ndalur të keqen e qeverisjes oligarkike të dyshes Rama-Meta.


“Në këtë hapje të aleatëve tanë të miqve tanë të bashkë-udhëtarëve tanë të PR kam nderin dhe kënaqësinë të ndjej bashkë me ju frymën e fitores që po përhapet lagje më lagje, e shtepi me shtepi. Vendosmëri për të mos e lënë këtë në rrjedhje të lirë por ta besuar në duar e vendimmarrësve të denjë që jeni ju. Miqtë tanë amerikanë na kujtuan me fjalët e tyre parimin e shenjtë të demokracisë atë të vendimmarrjes nga qytetarët me zgjedhje të lirë. Shqiptarët do japin mesazhin e përgjithshëm në këto zgjedhje vendore të ndaljes së të keqes. Grida Duma, emblematikja e nismës së re, ripërtëritjes dhe frymës së fitores së PD në këto zgjedhje. Në asnjë moment nuk kemi folur për interesa të ngushta të pushtetit politik. Kemi përfaqësuar interesat tuaja, bukën e gojës së familjeve tuaja dhe fëmijëve tuaj. Premtuan 300 mijë vende pune dhe unë ja u them sot. Unë dhe Fatmir Mediu dëshiruam dhe uruam të kishin sukses sepse interesi ynë më i mirë është interesi i qytetarëve. Dy vite kanë kaluar asnjë vend i lirë pune për be.

200 njerëz kam larguar sot nga puna më tha një investitor i huaj. Disa herë ju drejtova qeverisë për të zgjidhur problemin taksave të larta. Nuk deshën t’ia dinë. Ku e ka mendjen Edi Ram dhe Ilir Meta.”- u shpreh Basha.

Ai ftoi qytetarët që në 21 qershor të ndëshkojnë me votë qeverinë që nuk mbajti premtimet. “Në 21 qershor ju ftojmë ti bashkojmë këto kartonat me një votë plebishitare, me votën tonë të ndalim të keqen, të ndëshkojmë qeverinë e mashtrimeve. Me votën tonë të përqafojmë platformën tonë platformën e Grida Dumës për Durrësin.

Vota juaj për Grida Dumën është votë për dinjitetin tuaj. Vota juaj për opozitën është votë për platformën kombëtare, uljen me 25% të çmimit të energjisë dhe uljen e kamatëvonesave.”- theksoi Basha.

Lideri i PD-së deklaroi se me votën e 21 qershorit qeveria do të pranojë platformën e opozitës ose në të kundërt do të largohet. Basha tha se është gati të shtrij dorën e bashkëpunimit.

“Hallet tuaja prioriteti ynë. Ku ka moment më të mirë se për ti zgjidhur hallet tuaja. Me votën e 21 qershorit qeveria do të pranojë platformën tonë ose ndryshe do të largohet. Taksa të ulëta, për këtë jemi gati të shtrijmë dorën e bashkëpunimit. Por nëse qeveria vazhdon, ka vetëm një rrugë përballja me popullin sovran. Ndaj ju ftoj ta kthejmë kohën e mbetur më 21 qershor në punë, krah për krah si Duka dhe Grida Duma. Rroftë aleanca midis PR-së dhe PD-së, fitore, fitore, fitore!”, përfundoi Basha.

MEDIU: SIÇ PËRMBYSËM KOMUNIZMIN NË 1990, TË PËRMBYSIM SOT TIRANINË E MAXHORANCËS

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu e ka quajtur që tani kandidaten e opozitës për Durrësin, kryetare të Bashkisë. Në fjalën e tij në çeljen e fushatës së republikanëve, Mediu deklaroi se 21 qershori duhet të konsiderohet si një ditë e shpresës kundër thyerjes së besimit që ka sjellë dyshja Rama-Meta. Kreu i PR-së theksoi se ka ardhur koha që shqiptarët ti thonë jo pushtetit të marrëzisë.

“E nderuar kryetare e ardhshme e Bashkisë së Durrësit, zonja Grida Duma…Siç u tha këtu 21 qershori duhet të konsiderohet nga ne si një ditë e madhe, si një ditë e shpresës kundër thyerjes së besimit që ka sjellë dyshja Rama-Meta. 21 qershori dita ku do të shprehet qartë qëndrimi ynë. A do të heshtim ne përballë dhunës së përditshme, qoftë fjalorit të Ramës, qoftë manipulimit të Metës? A mund të pranojmë që kryeministri Rama, mungesën e punës dhe vizionit të tij, pas dy vitesh ta justifikojë me atë që ka kaluar? Apo ka ardhur koha dhe besoj që po, se ne si shqiptarë do të gjejmë kurajën ti themi jo pushtetit të marrëzisë dhe si njerëz me dinjitet të shkojmë me vullnetin tonë të lirë dhe të votojmë për njerëzit që ofrojnë përkushtim për jetën e banorëve të Durrësit”, theksoi kreu i PR-së.

Mediu tha se “më 21 qershor do të vendosim në radhë të parë dashurinë që kemi për Shqipërinë dhe jo talljen, jo ndarjen që ka përcjellë dyshja Rama-Meta”. “Kjo është sfida jonë. Shqipëria është një vend i bekuar dhe ne duhet ti japim mundësi çdo burri dhe çdo gruaje. Ne duhet ti japim fund largimit të të rinjve nga Shqipëria. Ashtu siç bëmë në 1990 kur përmbysëm komunizmin ashtu sot të përmbysim sot tiraninë e kësaj maxhorance. Ne e bëmë Shqipërinë, vend anëtar të NATO-s, ne liberalizuam vizat. Mund të më thoni përse jemi në vend numëro sot? Sepse qëllimi i tyre nuk është që të qeverisin, por të kontrollojnë pushtetin”, deklaroi ai.

Kreu i PR-së tha se pavarësisht kush është kryeministër, pas fitores së bashkive do të bashkëpunohet me qeverinë, pasi sipas tij më shumë vlejnë qytetarët.

Ndaj dhe Rama ka dalë nëpër Shqipëri dhe kërcënon shqiptarët, po nuk votuat për ne, nuk do keni ujë. Ne do fitojmë bashkitë dhe do bashkëpunojmë me qeverinë, sipas kushtetutës dhe ligjit, pavarësisht se kush është kryeministër, sepse për ne më shumë se të gjithë, më shumë se kryetarët e bashkive, vlejnë qytetarët e Shqipërisë.

DUKA: QYTETI PO KTHEHET NË NJË BUNKER TË MADH, GRIDA DUMA DO TË SJELLË NDRYSHIMIN
Në çelje të aktivitetit të mbajtur me këtë rast, deputeti Agron Duka tha se qyteti i Durrësit ka nevojë për bijë dhe bija që të punojnë për të. Duka e ka quajtur kreun aktual të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon, i cili rikandidon për këtë post, “beton”.

“Dako del sot para qytetarëve për të kërkuar votën. Por kujt do t’ia kërkojë votën, atyre që ua rrëmbeu tokën, apo qytetarëve të vjetër të Durrësit. Betoni? Durrësi po kthehet në një bunker të madh. Durrësi ka nevojë që bijtë dhe bijat e tij të përveshin mëngët dhe të punojnë për të. Ka nevojë për një mendje që gjykon ndershmërisht. Të dashur miq të shkojmë në kutinë e votimit si qytetarë që pas 21 qershorit të bëjmë ndryshimin. Jam e bindur se kandidatja Grida Duma do të sjellë ndryshimin për Durrësin”, tha Duka.

Sipas tij, programi i saj është ambicioz, konkret dhe i realizueshëm. “Jam konsultuar me të për programin e bujqësisë dhe më tha “zoti Duka unë dua të premtoj atë që mund ta bëj” dhe unë u ndjeva mirë sepse nuk më pëlqejnë ata që gënjejnë njerëzit që duam. Dhe ju jeni njerëzit që duam. Ne nuk kemi armik as Gjushin as Ramën, por të keqen që ata mbartin me vete. Ndaj ju bëj thirrje të votoni kandidaten Grida Duma për Durrësin dhe Redi Saraçin për Shijakun”, theksoi deputeti i PR-së, Agron Duka.

DUMA: QYTETARËT BESOJNË TEK NE, DURRËSIT PO I RIKTHEHET SHPRESA

Vetë Grida Duma, kandidatja e opozitës për Durrësin tha se qytetarët e kanë të vështirë të besojnë sot, pasi në 25 vite demokraci e vërteta që i është thënë qytetarit ka shkuar keq. Ajo tha se sot banorët e Durrësit janë dhjetëfishuar në shpresa dhe po u rikthehet besimi.

“Në fakt në 25 vite tashmë demokraci, ka diçka që ka shkuar keq, por shumë keq: E vërteta që i kemi thënë qytetarit. Sot gënjeshtrat e mëdha na janë kthyer në kosto të mëdha. Qytetarët e kanë të vështirë të besojnë në ato që themi se e nesërmja do të bëhet më e mirë. Për këtë isha e thjeshtë kur i thashë zotit Duka, të ndihmojmë njëri-tjetrin për të thënë gjërat që mund të bëjmë. Për këtë arsye jemi sot me aleatët e PD-së. Politika ka një vlerë të madhe kur ajo është e moralshme, kur njerëzit mblidhen jo si aleatë politikë por si miq të vërtetë që dinë të bëjnë bashkimin e fitores. Kemi sot një bashki të Durrësit që është dhjetëfishuar si sipërfaqe. Ka 30% më shumë densitet popullsie. Por kemi sot qytetarët dhe banorët e Durrësit që janë dhjetëfishuar në shpresa sepse ne ndiejmë përditë që ata besojnë tek ne. Po i rikthehet shpresa qytetit. Kemi projekte për Durrësin që do ti kthejnë jetën që meritojnë”, u shpreh ajo.

SARAÇI: DUHET TË PUNOJMË PËR TI DHËN FUND NJË MODELI QEVERISJEJE QË KA DËMTUAR QYTETARËT

Kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Redi Saraçi vlerësoi Partinë Republikane si një aleate të rëndësishme dhe deputetin Duka, i cili sipas tij i ka qëndruar afër komunitetit. Saraçi tha se sot duhet të punojmë për ti dhënë fund një modeli qeverisjeje që ka dëmtuar shqiptarët.

“PR është një parti aleate e rëndësishme për PD. Përveç kësaj unë kam një marrëdhënie tjetër me këtë parti, kam në krah një shijakas që u ka qëndruar gjithmonë pranë problemeve të këtij komuniteti. Ky njeri ka financuar projekte të rëndësishme për Shijakun. Sot më shumë se kurrë ne duhet të punojmë për ti dhënë fund një model qeverisje që ka dëmtuar qytetarët shqiptarë”, tha ai.

 

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: