Më shumë turistë që duan Kafkën dhe më pak vizitorë të dehur, është vizioni i qeverisë çeke mbi politikat e saj të turizmit, shkruan corriere.it.
Praga zyrtare dëshiron të ndryshojë modelin e saj të ofertës turistike duke luftuar skenat e degraduara të vizitorëve masivë.
Të hënën e kaluar, këshilli bashkiak i kryeqytetit çek miratoi një urdhëresë që ndalon turnetë e organizuara në qytet nga ora 22:00 deri në 06:00, masë e cila është e destinuar të shkaktojë diskutim.
Administrata e qytetit shpjegon se ajo që e shtyu drejt këtij vendimi ishte “konsumimi i paarsyeshëm i alkoolit dhe sjellja degraduese e cila krijon përshtypjen e mungesës së kulturës në komunitet dhe të zvogëlon perceptimin e sigurisë”.
Shpesh, këto turne nate organizohen nga agjencitë vendase të udhëtimit, të cilat ofrojnë paketën e plotë të alkoolit me një gamë të gjerë ofertash në varësi të shijeve dhe kuletave të klientëve ”të etur” për alkool.
Në Pragë mbretëresha e padiskutueshme e pijeve alkoolike është birra vendase, e konsumuar me bollëk në baret e shumta që rreshtojnë rrugët pranë sheshit të qytetit të vjetër.
Por, më shumë se krenari për pijen kombëtare ishte dëshira e administratës bashkiake për të ndërhyrë për të zgjidhur problemet e prishjes së qetësisë publike gjatë natës dhe për të formuar një model të ri kulturor.
Siç shpjegoi nënkryetari i bashkisë Jiri Pospísil, Praga “po kërkon një turizëm më të kulturuar, më të pasur dhe jo për ata që vijnë për një periudhë shumë të shkurtër vetëm për t’u dehur”.
Për të parë se kush do të ketë të drejtë, duhet të presim disa muaj dhe të dëgjojmë se çfarë mendojnë banorët e Pragës dhe turistët që vijnë për të vizituar “qytetin e njëqind kullave” ku lindi shkrimtari Franz Kafka.