TIRANE– Institucionet shtetërore mund të punësojnë më pak se 200 praktikantë, duke ulur mundësitë e punësimit për ata të rinj që bëhen pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

Përmes një ndryshimi të vendimit të deritanishëm, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se ministria përgjegjëse për rininë administron procesin e punësimit të praktikantëve për çdo institucion të administratës shtetërore, deri në 200 praktikantë, çka do të thotë se ky numër mund të jetë edhe më i vogël.

Ndërkohë që, deri më tani institucionet e administratës shtetërore qendrore, pjesëmarrëse në program, duhet të punësonin patjetër me kontratë të përkohshme pune 200 praktikantë.

Po ashtu, vendimi i ri përcakton se kohëzgjatja e punësimit do të jetë 1 vit, ndërkohë që vendimi i mëprashëm saktësonte se punësimi do të ishte i përkohshëm, por nuk vendoste afate konkrete.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës ka nisur të aplikohet prej vitit 2015 dha ka për qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale, akademike, personale dhe njohjen me administratën publike për të rinjtë e moshës 21-26 vjeç.

Ai zgjat 3 muaj dhe është pa pagesë, por pavarësisht kësaj, periudha e praktikës njihet si përvojë pune gjatë rekrutimit në institucionet e administratës publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb