TIRANË

Kryeministri Edi Rama tha se programi “Kombëtar dhe Praktika e Punës” në kuadër të “Paktit për Universitetin’ për të rinjtë dhe të rejat në administratë është një mundësi e mirë, e cila në thelb iu shton studentëve aftësitë dhe eksperiencën e duhur.

Shefi i ekzekutivit pohoi se kjo iu jep mundësi studentëve që të prekin nga afër një praktikë pune, ndërsa shtoi se kjo strategji do të reflektojë në përthithje dijesh dhe kualifikim të lartë.

Gjithashtu Rama tha se tashmë qeveria ka krijuar një marrëdhënie tjetër me universitetin dhe punësimi i studentëve të shkëlqyer do të jetë prioritet parësor i qeverisjes së tij.

Ai u ndal edhe tek thirrjet e reja ndaj studentëve për punësim në administratë. Kryeministri tha se po përgatitet një tjetër ftesë për punësim ndaj studentëve të shkëlqyer, ndërsa si afat përcaktoi muajin gusht.

“Më vjen mirë që i kushtojmë vëmendje Paktit për Universitetin, që besoj e dini se janë një eksperiencë e krijuar nga presidenti Kenedy në fillim të viteve ’60. aI hapi derën për studentët e shkëlqyer dhe kjo u bë praktikë në SHBA dhe më pas u hap në të gjithë botën.

Pas praktikës, çdonjëri që e kalon këtë proces, do mund të futet në konkurrim për një vend pune në administratë. Të paturit avantazhin e praktikës, kjo ndihmon hendekun e krijuar. Kemi hyrë në një fazë të re në marrëdhënien mes qeverisë dhe universitetit.

Nga ana tjetër është krijuar mundësia për futjen e drejtpërdrejtë të studentëve më të mirë në administratë.  Sot vendet e punës në shtet janë vende në dispozicion janë të atyre që kanë mbarur universitetin me nota 9-10.  Kjo krijon kushtin që çdo kush që ka mbaruar me këtë rezultat të këtë mundësi zgjedhje dhe të hyjë në administratën publike pa konkurs. Do të vazhdojë ky proces, duke rihapur thirrjet për aplikime dhe është bërë një thirrje e re së fundmi dhe një tjetër do të bëhet në gusht.  Me kalimin e viteve, këta njerëz fitojnë eksperiencën dhe do jenë aty për shkak të meritës së tyre.”-tha  ai.

Në hapje të thirrjes së 4 për programin e praktikave të punës, kryeministri Rama sqaroi edhe njëherë se, “Të gjitha vendet vakante janë vendosur në dispozicion të atyre që janë me 9 dhe me 10. Ato katër vendet në Shkodër do zihen nga ata, sorry nëse nuk je nga ata. Ata e kanë vrarë mendjen, janë marrë për budallenj, se kanë ndejtur mbi libra por dolën më të zgjuarit. Ta ndryshojmë atë idenë se ky vend nuk bohot mo lale, se kush mëson është budalla. Ky është procesi i një transformimi që edhe disa vite do jetë proces i konsoliduar e nuk do të diskutohet më. Hyn prej aftësisë në administratë që këtej e tutje, jo se të sjell miku”,- iu përgjigj Rama një studenteje.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb