Nga: KLODIANA LALA*

*Zbardhen 4 krime, identifikohet tritolvënësi tek “Higjiena”

TIRANE- Zbulohet grupi krimi nal që dyshohet për ekzekutimin e biznesmenit durrsak Leonard Murati dhe një seri krimesh të tjera. Tri ditë më parë, policia e Tiranës vuri në pranga një 24-vjeçar, i dyshuar për ekzekutimin mafioz të ndodhur në 18 nëntor 2014, ku në derën e lokalit të tij “Center” në zemër të Durrësit, u qëllua për vdekje 50- vjeçari Murati. Por, duket se ashtu sikurse në rastin e Julian Sinanajt, policia edhe këtë herë ka rënë në gjurmët e një grupi të fuqishëm kriminal, që kryente vrasje me pagesë. Burime të besuara të “GSH” thanë se 24 vjeçari nga Elbasani, me banim në Tiranë, dyshohet të jetë autor edhe i disa vrasjeve të ndodhura në Shkodër. Sipas zyrtarëve të policisë, ky person në bashkëpunim me shtetasin A.Q. në kërkim kanë ekzekutuar në Shkodër Ibrahim Manin. Ndërkaq, miku i tij, A.Q. dyshohet të jetë edhe i dyshuari kryesor si autor i ngjarjes së ndodhur në rrugën “Budi” me 26 shkurt 2014, ku nga shpërthimi i një sasie të madhe eksplozive, mbeti i plagosur rëndë biznesmeni Armando Çeka, juristi Julian Çela si dhe A.SH. Policia ka vënë në pranga me iniciativën e saj edhe 41- vjeçarin pogradecar A.G.. “GSH” disponon të plotë identitet e të dyshuarve, por për arsye të ruajtes së sekretit hetimor publikon vetëm inicialet e tyre.
GODITJA E GRUPIT
24-vjeçari nga Elbasani është ndaluar rreth orës 14:20 në sheshin “Shqiponja” tek Dogana, në hyrje të Tiranës. Në shoqërinë e tij kanë qenë dy vajza dhe një person tjetër, të cilët pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ai ka kryer disa vrasje me pagesë në Durrës dhe Shkodër, ndërsa pritej të bënte ekzekutimin e radhës në Vlorë. Djali 24-vjeçar nga Elbasani me banim në Zonën e Unazës së Re, sipas policisë, dyshohet për tri vrasje të kryera në qytetin e Shkodrës dhe vrasjen e një biznesmeni në Durrës. Burime të besuara për “GSH” thanë se porositë e vrasjeve, që kryesisht kishin në shënjestër persona me precedentë kriminalë, të përfshirë në trafikun e drogës, apo biznesmenë, vinin nga një burg i sigurisë së lartë. Por, sa u përket detajeve të tjera, policia është tejet e rezervuar dhe si asnjëherë më parë, po ruan me “fanatizëm” sekretin hetimor. EKZEKUTIMI I MURATIT
Mbrëmjen e 18 nëntorit 2014 u ekzekutua me 6 plumba në kokë Leonard Murati. Ngjarja ndodhi në derën e lokalit të tij, “Bar Center”, në qendër të Durrësit. Pa kaluar 20 ditë nga ekzekutimi mafioz i babait të dy fëmijëve, policia bëri me dije se kishte identifikuar dhe shpallur në kërkim njërin prej ekzekutorëve të 50- vjeçarit Leonard Murati. Sipas policisë, ai është Bedri Haka nga fshati Zezë i Niklës në Krujë. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet që Haka (rezulton person me precedent penalë në Itali) ta ketë kryer krimin kundrejt pagesës.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: