TIRANË- Universiteti i Arteve të Tiranës ka përcaktuar kriteret e pranimit për vitin akademik 2016-2017 për Fakultetin e Arteve të Bukura, të Artit Skenik dhe atij të Muzikës. Ashtu sikurse vitet e kaluara, pranimet në këtë universitet do të bëhen përmes konkursit, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh detajet për secilin prej tyre. Kështu, te FAB konkursi do të mbështetet në tri rubrika kryesore, të cilat janë: Punë praktike në atelie (pikturë, skulpturë, vizatim), testimi teorik dhe prezantimi i dosjes personale.

Për punën praktike, tema e veprës që do të kërkohet është studimi dhe interpretimi nga natyra, duke iu referuar figurës së njeriut. Ndërkohë që, studentët duhet të kenë me vete dhe bazën materiale, si: letër vizatimi, telajo pikture si dhe të gjitha mjetet e tjera plotësuese për të realizuar një vepër në vizatim apo në telajo. Ndërkaq, testimi teorik do të ndahet në tri faza, ku në të parën do të përfshihet përgjigjja direkte mbi tezën e zgjedhur rreth historisë së artit.

Faza e dytë do të përmbajë intervistën e kandidatit nga anëtarët e komisionit vlerësues, ndërsa faza e tretë është shqyrtimi i dosjes personale, e cila përmban një grup punimesh të kryera prej kandidatit gjatë viteve të fundit. Ndërkohë që, bashkëngjitur shkrimit, gjeni në detaje përmbajtjen e konkursit pranë Fakultetit të Arteve të Bukura.

Arti Skenik & Muzika
Sa i takon Fakultetit të Artit Skenik, konkursi do të zhvillohet për 5 degët e tij, e më konkretisht për: Aktrim, Regjisurë, Skenografi-Kostumografi, Koreografi dhe Regji Filmi e TV. Për secilin prej programeve të studimit, kandidatët duhet të përgatisin nga një material për t’u paraqitur para komisionit të vlerësimit. Për degën ‘Aktrim’ kandidati do të duhet të aktrojë një nga materialet: tregim, poezi, monolog, fabul ose anekdotë apo bashkëbisedim mbi njohuritë e letërsisë dhe teatrit shqiptar dhe atij botëror.

Për degën ‘Regjisurë’ kandidatit do i kërkohet hartimi i një skicë-platforme regjisoriale mbi bazën e një pjese dramatike si dhe do të ketë një bashkëbisedim mbi formimin e përgjithshëm kulturor në fushën e teatrit, dramaturgjisë, filmit, arteve figurative etj. Gjithashtu, konkursi për këtë degë përfshin dhe interpretimin e monologut, tregimit apo poezisë. Për degën ‘Skenografi-Kostumografi’ kandidati do të duhet të realizojë një model të kompozuar nga natyra në vizatim ose pikturë, krijimin e një projekti skenografik ose kostumografik si dhe testimin teorik me shkrim mbi formimin e përgjithshëm kulturor dhe profesional në fushën e artit, letërsisë dhe muzikës.

Po ashtu, ai duhet të paraqesë edhe një dosje personale me kompozime në kostumografi, skenografi, pikturë, vizatim etj. Për pranimet në programin e ‘Koreografisë’ konkursi do të zhvillohet vetëm me një fazë dhe do të ketë këto kërkesa: ushtrime klasike, demonstrim i një variacioni nga baletet e ndryshme botërore dhe shqiptare, kompozim nga kandidati për ndërtimin e një motivi klasik dhe popullor me ritme 2/4, 3/4 dhe ritme të përziera, ekzekutimin e një pantomime sipas kërkesës së komisionit si dhe përgatitjen e një libreti koreografik dhe demonstrim i gjuhës shprehëse të personazheve.

Po ashtu do të ketë edhe një bashkëbisedim rreth njohurive teorike e praktike mbi Folklorin Koreografik Shqiptar dhe rreth njohurive mbi Historinë e Baletit Shqiptar dhe Botëror. Ndërkaq, për degën e pestë të këtij fakulteti, atë të Regjisë së Filmit dhe TV-së, kandidatët duhet të përmbushin disa kërkesa, si: hartimi i një skicë-platforme regjisoriale në bazë të një tregimi, novele apo historie të shkurtër, bashkëbisedim mbi formimin kulturor në fushën e kinematografisë shqiptare dhe botërore, zhanret e filmit, artet figurative etj., njohuri për përdorimin e aparatit fotografik me film si dhe etydin regjisorial mbi baza fotografie të një teme që sugjerohet nga komisioni. Të tjera detaje rreth kritereve të pranimit, i gjeni bashkëngjitur shkrimit. Sa i takon Fakultetit të Muzikës, kriteret e pranimit ndryshojnë në varësi të veglës muzikore, ndërkohë që “GSH” publikon programin mësimor të dy prej degëve, që janë: Pedagogjia Muzikore dhe Muzikologjia.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: