Martesa e Pep Guardiolës përfundoi sepse ai është totalisht i dhënë pas punës dhe kjo dëmtoi marrëdhënien e tij.
Kështu pretendon një mik i ngushtë i trajnerit të Mançester Sitit, i cili gjatë një interviste për “MailOnline” zbuloi prapaskenat e divorcit:
“Unë mendoj se ata u larguan nga njëri-tjetri. Ajo u largua nga Mançesteri rreth pesë vjet më parë për t’u kthyer në Barcelonë. Kjo ka bërë të vetën. Ai është i fiksuar me punën dhe mospërfshirja në biznesin e tyre familjar të modës së bashku mund të ketë ndikuar edhe në marrëdhënien e tyre”.
Të martën mediat spanjolle raportonin se Guardiola dhe gruaja e tij Kristina Serra kanë vendosur të divorcohen pas 30 vitesh së bashku. Çifti, i cili u takua për herë të parë në vitin 1994 dhe u martua në 2014 në një ceremoni të vogël private në Barcelonë, thuhet se ka pësuar një krisje gjatë kohëve të fundit, kryesisht për shkak të karrierës së trajnerit të Sitit në vende të ndryshme gjatë viteve të fundit.
Ata kanë tre fëmijë së bashku: Maria, 24 vjeç, Marius 22, dhe Valentina, 17. Serra, e cila është një gazetare braziliane me profesion dhe aktualisht jeton me vajzën e vogël në Barcelonë, Valentinën, ndërsa Guardiola jeton në Mançester, ka qenë mbështetja kryesore e trajnerit katalanas në rrugëtimin e tij deri në momentin sa largësia e tij u bë e padurueshme për të.