TIRANE

‘Prapaskenat e Fatit’, është shfaqja e autorit dhe aktorit Herion Mustafaraj i cili është i ftuari i sotëm i emisionit Chick, të moderatores Fjodora Fjora në News24.
Mustafaraj jeton prej kohësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka pasur mundësi të ketë edhe disa role, por këtë herë ai vjen me ‘One man Show’ si autor. Ky show muzikor flet për historinë e Xha Fatit dhe autori që në fillim luan me fjalët, pikërisht me emrin e këtij personazhi, Fati si fat, apo Fati si emër. Për këto dhe të tjera ndjekim intervistën.

Përshëndetje Erion! Ti ke shumë vite që jeton jashtë Shqipërisë megjithatë je rikthyer me dëshirën për të sjellë këtu shfaqje dhe projekte artistike!

Është e vërtetë që kam shumë vite jashtë, por dëshira për t’u rikthyer nuk më ka munguar, sidomos përpara publikut, që të ka njohur që i vogël, për të sjellë diçka të re. Asnjëherë njeriu nuk mjaftohet me veten dhe ti gjithmonë ke dëshirën që njerëzit të kënaqen me diçka që ti sjellë. Por siç ka lëvizur jeta tek ne jashtë, kështu ka lëvizur edhe këtu në Shqipëri, gjërat që lamë nuk i gjetëm ashtu siç i lamë, televizionet janë në përsosmëri, prandaj ti duhet të jesh në maksimumin tënd.

Le të flasim pak për shfaqjen, e cila provokon që me titullin, Fati si fat, apo fati si emër?

-Janë të dyja bashkë, prapaskena e fatit të njeriut dhe gjithashtu prapaskena e këtij karakteri në këtë shfaqje, aq më tepër që shfaqja në vetvete ndodh në një prapaskenë, është prapaskena e Brodway, ku Xha Fati, personazhi kryesori, ngjarjet e tij ndodh ti zhvillojë në të ardhmen dhe gjatë zhvillimit të ngjarjes, ne kthehemi mbrapsht dhe vijmë në të tashmen e Xha Fatit tjetër, dhe ky shndërrim i këtij karakteri në skenë, është veçantia e kësaj pjese, sepse krijohet një si magji, ti në skenë sheh një plak që pa kuptuar shndërrohet në një djalë të ri të apasionuar, nga 80-vjeç bëhet 50-vjec dhe pastaj 40 dhe kështu tregon historitë e fëmijërisë dhe me disa veshje ai shndërrohet edhe në fëmijë. Kjo i jep një larmi shfaqjes.
Edhe përdorimi i instrumenteve muzikor gjithashtu e bën shfaqjen e larmishme dhe me ngjyra. Unë e kam hobi muzikën pasi edhe në shkollë të mesme kam studiuar muzikë. Inkorporimi i muzikës në shfaqje është shumë i veçantë.

Bëhet fjalë për një ‘One Man Show’ që ti e ke shkruar vetë dhe që është një shfaqje muzikore mbi të cilën t’i interpreton, aktron, luan muzikë, pra i ka të gjithë elemetët e një show muzikor.

Nuk është thjesht një ‘Stand Up Comedi’, pasi sigurisht është e bazuar në monologje të këtij karakteri, ka ndodhi që ndodhin në skenë, ashtu dhe jashtë skene, ka të papritura dhe këtu është veçantia e shfaqjes. Deri në fund shfaqja ka gjëra të reja, spektatori nuk ngelet thjesht tek çfarë po themi, por është kurioziteti se çfarë do të ndodhi, edhe me këto fakte që erdhën tani , që nuk mund të shpjegohet me fjalë por vetëm të shijohet. Gjithashtu një gjë e veçantë në shfaqje është një monitor i madh ku shfaqet disa nga interpretimet e mia ndër vite. Ka një lidhje shumë të bukur, sepse në këtë show artisti tallet me veten.

Cilat janë shtyllat që t’i i ndërton në këtë temë?

Unë tregoj fatin, se si fati e bën atë të kryejë veprime të domosdoshme gjithashtu e hedh ne veprime të papritura dhe si vepron njeriu në këto situata. Në një show të tillë nuk mund të lësh pa përfshirë edhe publikun, pasi nuk mund të luash për vete, ndërsa në një shfaqje të tillë kjo është larmia , çdo spektator mund të bëhesh pjesë e shfaqjes dhe ata e gjejnë veten aq të përfshirë sa nuk ngurojnë të thonë një fjalë përpara se ta them unë dhe të papriturat janë ato që e bëjnë enigmën të këndshme gjatë shfaqjes, dhe ku njerëzit nuk mërziten dhe ku muzika gjithashtu ngre adrenalinën.

-E ke sprovuar veten me këtë shfaqje dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si u prite atje para se të vije në Tiranë?

Meqë pikërisht në Amerikë me erdhi ideja, së bashkë me disa miq të mi, që kanë një Teatër në zemër të Manhatanit, pikërisht në Brodway Districkt, vendosëm ta quanim me emrin Of of of Brodway, me idenë që ka show Brodway , show of Brodway, por Of of of Brodway nuk kishim, pra jashtë nga Brodway, ky xhaxha që vjen jashtë nga Brodway.
Spektatori atje e priti shumë mirë këtë shfaqje. Pati nga grup moshat e ndryshme, që nga fëmijët e shokëve tanë, të lindur në Amerikë, që dinin pak shqip, por që e kuptonin shumë mirë ngjarjen, por edhe prindërit e miqve të mi qeshnin pafund, sepse shikonin jetën e tyre aty dhe diçka që i kishte munguar.

-Kur duan të ndërtojnë profilin tënd të gjithë e nisin pikërisht nga Filmi jot i parë “Beni ecën vetë” dhe ky duhet marrë si një bekim sepse të gjithëve u shkon mendja tek ai personazh. Pra njerëzit kur duan të ndërtojnë profilin tënd e nisin pikërisht aty.

E vërtetë të gjithë mua më kujtojnë si ai personazh. Një mik i im Kujtim Prodani me thoshte, ti Herion që kur ke dalë për herë të parë në ekran godite. Tani të duhet vetëm ta mbash atë emër dhe kishte shumë të drejtë. Është e vështirë të mbash një emër të madh, sepse pritshmëritë janë shumë të mëdha për ty dhe nuk ja mbush dot mendjen te tjerëve me gjëra të vogla. Kur isha në fillimet e mia jashtë vendit kapja ndonjë rol të vogël në teatër dhe kur ja tregoja nënës dhe babait thoshin pse kaq pak ti këtu. Dhe është e vërtetë që ne pavarësisht se dalim jashtë dhe gjejmë horizonte të reja për të treguar veten, ashtu siç jemi vërtetë se bëjmë dot, prandaj unë vendosa të kthehem në Shqipëri dhe të bëj këtë shfaqje, sepse shanset këtu janë më të mira për të treguar veten time dhe aftësitë në art.

Do të rrini gjatë në Shqipëri?

Po do të rri. Kam një premierë filmi me shtëpinë Papadhimitri, Dionisi është regjisor. Quhet filmi Love që pritet të dalë së shpejti. Në prill do të kthehem në Amerikë, pasi isha në një produksion amerikan, filmi atje do të dalë në prill në kinema, kështu që dhe unë do të kthehem në prill atje. Ta marr edhe këtë shfaqjen këtu, për të tërhequr pak vëmendjen atje, dhe njëkohësisht të kem edhe disa shfaqje të mira për të treguar. Dhe unë mendoj se kjo shfaqje më ka përfaqësuar më së mirë, sigurisht më përfaqëson me shumë dinjitet.

“Prapaskenat e Fatit”, janë të premte, të shtunë, të diel në mbrëmje në Teatrin Eksperimental. Xhafati do të rrugëtojë pak nëpër Shqipëri dhe besoj se shfaqja do të jepet edhe në teatrot më të mirë të vendit.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb