E djeshmja nuk ka qenë një ditë normale te Partizani. Gjërat kanë nisur të lëvizin rreth orës 16:00, kur ish-trajneri Shehi mbërriti si zakonisht në stadium dy orë para stërvitjes. Ndryshe nga ç’ndodhte zakonisht, ai nuk e ka nisur punën me finalizimin e programit dhe detajet e tjera, por me një mbledhje.

Presidenti Demi e ka thirrur në zyrën e tij në stadiumin “Arena e Demave”, teksa të pranishëm kanë qenë edhe drejtori sportiv Arbër Abilaliaj dhe Pano Xhixho, krah i djathtë i presidentit. Presidenti Demi ka kërkuar njëfarë llogarie në lidhje me rezultatet e ekipit dhe pas një bisede jo të gjatë me palëve, nga ana e drejtuesve të klubit i është kërkuar trajnerit Shehi që të gjendet një marrëveshje për mbylljen e kontratës. Durrsaku nuk është bërë pengesë dhe palët janë ndarë me një shtrëngim të ftohtë duarsh.

PAS MBLEDHJES – Pasi mori vesh vendimin e drejtuesve, Shehi nuk preferoi të largohej menjëherë nga stadiumi “Arena e Demave”. 46-vjeçari ka dashur të ketë një takim dhe bisedë të fundit me lojtarët, me të cilët bashkëpunoi për shtatë muaj. E veçanta në këtë episod ka qenë fakti se trajneri nuk ka pranuar në dhomat e zhveshjes asnjë drejtues tjetër të klubit në bisedën e fundit me lojtarët.

Të pranishëm kanë qenë futbollistët, Shehi, Karapici dhe Plaku. Trajneri ka mbajtur një fjalim të shkurtër, me vëmendjen te falënderimet dhe mirënjohja. Pas mbledhjes, trajneri u përshëndet me pjesëtarët e tjerë të ekipit, të cilët e përcollën deri në daljen e stadiumit. Orgesi u largua i pari, më pas Plaku e Karapici, i cili mesa duket harroi diçka dhe u desh të kthehej për një moment, për t’u larguar më pas në mënyrë përfundimtare.

“THYERJA” – Marrëdhënia mes trajnerit Shehi dhe drejtorëve nuk ka qenë më e mira e mundshme. Shkaku ka qenë fakti se kërkesat e trajnerit për të plotësuar rolet ku duhen lojtarë nuk janë plotësuar si dhe sa duhet. Nga ajo që mëson gazeta, “thyerja” ka nisur para Europës.

Në katër ndeshjet mes Partizanit dhe Marsaslok, trajneri durrsak nuk ka lejuar që drejtori Abilaliaj të qëndrojë në pankinë, siç kishte bërë rëndom më parë. Ai ka preferuar të qëndrojë vetëm me stafin e nevojshëm për të qenë pjesë e pankinës. E kemi parë edhe në deklarata, kur vazhdimisht trajneri shprehej se Partizani ka nevojë për afrime dhe është vonë në plotësimin e roleve ku mungojnë lojtarë. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb