Pas shumë vitesh spekulimi, Formula 1 më në fund po shitet. Kampionati Global i Garave me makina do të blihet nga miliarderi John Malone i Liberty Media, për 8 miliardë dollarë.


Sezoni i vitit 2016 u ka dhuruar tifozëve të këtij sporti më shumë nga se ata ishin mësuar. Mercedes-i vazhdon të dominojë pistën, me Luis Hamilton dhe Niko Rosberg të kombinuar për të fituar të 14-a garat, nga të cilat humbën vetëm njërën. Por, lajmi i fundit është se Formula 1 i është shitur miliarderit John Malone i Liberty Media me një marrëveshje që e ka vlerësuar kampionatin 8 miliardë dollarë.


Formula 1, për një kohë të gjatë, ka qenë subjekt i thashethemeve për një shitje të mundshme. Në vitin 2012, një Ofertë Fillestare Publike (IPO) e planifikuar në Singapor u pezullua për shkak të kushteve jo të qëndrueshme të tregut, si dhe një vit më pas, raportet tregonin se kampionati do të vlente në treg 12 miliardë dollarë. E megjithatë, ato plane nuk u realizuan kurrë dhe nga ajo kohë, thashethemet kanë përndjekur kampionatin. Vitin e shkuar, Stephan Ross, miliarderi që zotëron Miami Dolphins, ishte shumë afër për të mbyllur një marrëveshje për blerjen e kampionatit me një vlerë prej 8.5 miliardë dollarësh, por përsëri marrëveshja nuk u finalizua.


Duket se thashethemnaja më në fund do të marrë fund. Liberty Media ka njoftuar se fillimisht do të blejë 18.7% të aksioneve duke paguar 746 milionë dollarë para në dorë dhe më vonë do ta përfundojë blerjen e serive të garave botërore duke paguar një shumë prej 4.4 miliardë dollarësh në para dhe aksione në një marrëveshje që, ku përfshihet dhe borxhi, vlerëson kompaninë me 8 miliardë dollarë.

Liberty, një kompani mediatike me bazë në Kolorado, gjithashtu zotëron MLB’s Atlanta Braves. Formula 1 momentalisht kontrollohet nga aksionerët e mëdhenj të CVC Capital Partners, të cilët i kanë blerë fillimisht seritë në vitin 2006 me një vlerë prej 2 miliardë dollarësh. Firma investitore zotëron 35% të kompanisë mëmë të Formula One, Delta Topco. Investitorët aktualë të Formula 1 do të vazhdojnë të zotërojnë 65% të serive nëpërmjet aksioneve të Liberty-s.

Por, nëpërmjet CVC-së mund të ketë të papritura në këtë investim. Ka shitur 21% të serive të kësaj gare për një shifër prej 1.6 miliardë dollarësh në 2012 dhe ka mbledhur miliarda dollarë si fitime dhe dividendë. Gjithashtu nuk e ka përmirësuar pozicionin e serive të garave. CVC-ja e ka ngarkuar Formula 1 me një borxh prej 4 miliardë dollarësh, ndërkohë që fuste në xhep dividendët, si dhe duke e zhvendosur transmetimin televiziv tek ato me abonim, zvogëloi ndjeshëm shikueshmërinë globale të këtij sporti. Pa përmendur që miliarderi Bernie Ecclestone, që mbetet figura kryesore e sportit, mendohet që është pas shitjes, pavarësisht nga problemet e tij të shumta ligjore.

Problemet e F1
Vitin e shkuar, artikulli i përvitshëm në vlerësimin e skuadrave të F1 u fokusua në vështirësitë e fundit të kampionatit, duke dalë në përfundim se F1 kishte humbur miliarda dollarë në tavolinë falë vendimeve të saj, të cilat kishin zvogëluar interesin e tifozëve dhe kishin krijuar pabarazi të madhe financiare te skuadrat. Këto vështirësi duket se janë reflektuar te çmimi i shitjes. Në 2012-n shitja e kapitalit të F1 vlente 9.1 miliardë dollarë, që do të thotë se 12% e asaj vlere është pakësuar në katër vitet e fundit.

Përcaktimi i të ardhurave të sakta mund të jetë i vështirë, pasi F1 përbëhet nga një rrjet kompanish shumëkombëshe. Por, Kampionati Botëror i F1, kompania që zotëron dhe shet të drejtat e transmetimit në televizion, është gjeneruesi më i madh i të ardhurave dhe nga raportimet e 2014-s të ardhurat ishin 1.35 miliardë dollarë. Të tjera të ardhura burojnë nga marketingu dhe bizneset e sekondare, që gjenerojnë të ardhura shtesë prej 430 milionë dollarësh.

Pak muaj më parë, Kampionati i Dyluftimit UFC u shit për 4 miliardë dollarë, apo sa gjysma e vlerës së F1. Por, promovimi i këtij sporti po gjeneron 600 milionë dollarë, që do të thotë se u tregtua me një vlerë sa shtatëfishi i të ardhurave të tij. Manchester United, aksionet e të cilit janë të listuar në Bursën e Nju Jorkut, aktualisht ka një vlerë që i kalon të ardhurat me 5 herë.

Por, Liberty shikon qartësisht një mundësi për t’i kthyer gjërat me seritë e garave të pambaruara dhe tashmë kanë identifikuar mundësitë e rritjes potenciale. Në një konferencë të fundit, Greg Maffei, shefi ekzekutiv i Liberty-s, cilësoi veprimet dixhitale, si një fushë ku duhen bërë përmirësime, dhe gjithashtu quajti videolojërat, realitet virtual, që u duhen shtuar aktivitetet promocionale si një mënyrë që do të përmirësojë biznesin e këtij sporti. /Monitor/
(er.nu/BalkanWeb)

Etiketa: