Zbardhen të tjera diskutime nga mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, si dhe aleatëve opozitarë. Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb qëndrimet e deputetëve opozitare për aksionin e fundit, ku po bllokojnë punimet në Kuvend dhe Komisione.

Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ka propozuar që bashkë me kolegë të tjerë të bllokonin mbledhjen e Sekretariatit, ashtu siç edhe ndodhi dje.

“Në ditën e sotme (dje, mbledhja e Sekretariatit të Etikes) duhet të shkojmë tek Sekretariati i Etikes, të gjithë si deputetë, pasi duhet të ndalojmë gjithë këtë abuzim që po behet nga mazhoranca. Duhet të bllokojmë punimet ne Kuvend. Ndërsa nesër (sot) po ashtu duhet të bllokojmë Konferencën e Kryetareve, se po miratuan ata Projektbuxhetin për vitin 2024, pastaj pse bëjmë beteje ne? Nëse ata e miratojnë do të thotë se ka normalitet ne Kuvend, ndërsa ne s’mund ta lejojmë normalitetin në Kuvendin e Shqipërisë. Nesër (sot) të bllokojmë Konferencën e Kryetarëve. Dhe nuk duhet të mendojmë këtu plane afatgjate, aksionet tona duhen menduar rast pas rasti.”, tha ai.

Ndërkohë, më i ashpër në qëndrim ka qenë deputeti demokrat, Xhelal Mziu, i cili sugjeron grevën e urisë. “Unë jam i mendimit se ne duhet te mendojmë seriozisht grevën e urisë në Kuvendin e Shqipërisë, pasi mazhoranca e ka tejkaluar masën në respektimin e parlamentarizmit.”, tha ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb