TIRANE- Negociatat mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë edhe sot, për gjetjen e një zgjidhje që do mundësonte pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Gazetarja Marsela Karapanço deklaroi për BalkanWeb, se bëhet fjalë për negociata shumë të fshehta.

Duke iu referuar burimeve pranë mazhorancës, ajo konfirmon se mund të ketë një rezultat për sa i përket datës së zgjedhjeve.

Kjo pasi kryeministri Edi Rama ka bërë një lëshim të vogël për sa i përket shtyrjes së datës së zgjedhjeve deri në fund të qershorit, por nga ana tjetër opozita kërkon që zgjedhjet të shtyhen deri në vjeshtë.

Deputeti i PD-s, Oerd Bylykbashi duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës sqaroi se ka dy periudha ku mund të mbahen zgjedhjet. Ai thotë se data 18 qershor e dekretuar nga Presidenti Nishani për zgjedhjet parlamentare është thjesht ligjore dhe jo kushtetuese. Sipas tij, periudhat zgjedhore në Kodin Zgjedhor (pra në ligj dhe jo në Kushtetutë) janë dy: e pranverës 15 mars – 30 qershor dhe e vjeshtës 15 shtator – 30 nëntor.

Ndërsa dje mediat deklaruan se Kryeministri Edi Rama kishte ngarkuar një grup pune për të shqyrtuar paketën e ashtuquajtur McAllister+Rama, e cila i është vënë dje në tryezë PD-së dhe aleatëve. Nga selia blu dolën informacione se PD mund të pranonte paketën McAllister+Rama, pra një zv/kryeministër, katër ministra dhe disa lëshime të tjera. Këto paketa nuk kishin të përfshira as numërimin e as votimin elektronik.

Por selia blu u duk se nuk dorëzohej për numërimin dhe identifikimin biometrik të votuesve. Në këtë logjikë, informacionet nga Partia Demokratike flisnin për një afat të shtyrjes së zgjedhjeve.

Aleatët e PD, pas takimit të tretë me Bashën, iu thanë gazetarëve mbrëmë se opozita ishte e gatshme të votonte edhe vettingun. Por megjithatë Partia Demokratike dhe opozita nuk dolën me një qëndrim zyrtar për këtë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: