TIRANË- Projektbuxheti i shtetit për vitin 2016 dhe paketa fiskale vijojnë të diskutohenedhe sot në komisionet e përhershme të Kuvendit.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë, si komisioni përgjegjës për pr/ligjin e buxhetit vijoi diskutimin e tij në parim, me praninë e e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Kreu i Financave shqiptare, duke u përgjigjur pyetjeve për pr/buxhetin e vitit të ardhshëm, ka theksuar se një sërë çështjesh të ekonomisë janë si reflektim i bisedimeve dhe marrëveshjes me FMN.

Deputetët thanë se cilësimi i projekteve private TAP dhe Devoll Hidropower si projektet më të rëndësishme që përbëjnë investimet ,tregojnë se vetë investimet publike janë shumë të ulëta. Ministri tregoi se edhe për këto projekte, ndonëse private, qeveria do alokojë një fond publik.

“Niveli i investimeve duhen parë në konteksin e duhur, jo se kush i realizon. Vetë fondi i zhvillimit rajonal tregon një investim të rëndësishëm publik”- tha Cani, duke shtuar se edhe zerimi i taksave për bizneset e vogla është një tregues i nxitjeve të investimeve të brendshme.

Ministri Cani foli edhe për eurobondin, duke kundërshtuar fjalën e deputetit opozitar Mima, e duke theksuar se emetimi i tij ishte sukses, pati interes te lartë dhe pati një normë të ulët të kënaqshme. Cani gjithashtu, i pyetur pse sistemit energjetik po i rialokohen fonde, sa kohë qeveria deklaron se reforma e bëri të mbahet vetë, ministri tha se është fond për investime, por reforma solli ndryshime në këtë sektor.

Ministri ndërkohë, i pyetur a do të ketë rritje pagash e pensionesh ky buxhet, tha se pagat do rriten në sektore të rëndësishëm, pa u saktësuar ku. Ministri deklaroi se ka ndryshuar modeli i shpërblimit. Për pensionet sakaq tha se deri në 1 korrik është sistemi i vjetër, atëherë do bëhet rivlerësimi. Ministri citoi se fond i kënaqshëm shkon për pjesën sociale, e ndarë sipas kategorive që përfitojnë.

Ministri Cani tha se nuk dihet ende nëse do të ketë hapësira për alokim fondesh, ndërsa u pyet nëse edhe këto pesë javë do të shohin ndryshime për këtë buxhet.
Pjesë e diskutimeve në këtë seancë, u bënë të gjithë deputetët opozitarë, të cilët theksuan se buxheti i vitit 2016, ndonëse thuhet se është buxheti më i madh i planifikuar, përsëriten frazat që nga 2013.
Deputetja Tabaku tha se, në këtë buxhet nuk kemi asgjë të re, taksat këtë vit rriten me 26 mln euro, por duke qenë se vitin e shkuar u rritën më shumë, këtë vit duken më të ulëta.

“Procesverbalet tregojnë se Buxheti 2016 nuk sjell asgjë të re. Keni që në 2013 që thoni “buxheti më i madh i planifikua”. Këtë vit rriten taksat 26mln euro por rriten më pak se herët e kaluara. Ka rënë besimi, bankat po çojnë investimet jashtë, numri i punësuarve ulet, kerkesa për kredi ka rënë, inflacioni rritet, kemi shtrenjtim jetese. Ky buxhet nuk sjell asgjë për shqiptarët, në këtë situatë të vështirë ekonomike që ndodhen”, tha znj. Tabaku.

Në komisionin parlamentar të Ligjeve, pas prezantimit një ditë më parë të draftit nga përfaqësues të Ministrisë së Financave, sot u krye seanca dëgjimore për buxhetin e vitin të ardhshëm me përfaqësues të disa ministrive, si Ministrise se Drejtësisë, te Çështjeve Vendore, Ministrise se Brendshme dhe asaj te Inovacionit dhe Administratës Publike.

Gjithashtu, në komisionin e Medias do të ketë seanca dëgjimore të veçanta me ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe me ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi për të diskutuar rreth shifrave në buxhetin e ri që qeveria ka akorduar për këto dikastere.

(d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: