Po të bësh një anketë në Tiranë apo Prishtinë, në anën Perëndimore të Stambollit apo në Sofje, në Athinë apo Zagreb, në Bukuresht apo Beograd, në Sarajevë, Ljubjanë apo Podgoricë, pra, nëse pyeten qytetarët ballkanas, shumica e tyre do të pretendonte se bota ka lindur poshtë parvazit të dritares së tyre.

Ballkani është shtëpia e gjithë të marrëve që pretendojnë se janë më të drejtë se Solomoni, se janë më të mençur se Platoni, se mund të mundin Herkulin, se predikojnë më mirë se Jezu Krishti, se falen si Muhameti dhe janë më të shenjtë se Nënë Tereza. Në mos tjetër, një gjë është e sigurt, mendjemadhësia dhe krenaria e rreme janë produkti Bio i Gadishullit që tenton Evropën, por mbetet sërish ishull i ndryshëm prej saj. Dhe kjo gjë duket e vërtetë me të gjitha gjasat në çdo cep të Ballkanit. Me një ndryshim. Me ndryshimin e vetëm që klith nga një rracë në zhdukje e njerëzve që më shumë shkruajnë libra sesa lexojnë gazeta.

Këta njerëz janë Poetët që ende dridhen nga dashuria. Aq më tepër kur brenda tyre zgjohet edhe prozatori që tenton të dëshmojë ndjeshmërinë e kohës. E po kështu, kur bashkë me këta dy qenie sipërore, bashkëjeton edhe gazetari i angazhuar ndaj padrejtësisë dhe angazhimi i politikanit që tenton progres.

Preç Zogaj është një personazh i rrallë, që sikur të kishte pasur qoftë dhe vetëm një nga këto kartvizita dhe jo të katërta së bashku, do të quhej njeri i realizuar.

Bashkë me faturën që ka fituar dhe i ka paguar miqësive dhe armiqësive, triumfeve dhe disfatave, të mirës dhe të ligës, Zogaj ka nënshkruar zërin e njeriut që beson tek paqja përpara luftës dhe që do të hynte në uniformën e luftëtarit për të firmosur paqen me kravatën e misionarit.

Këtë javë ai ftoi miqtë e tij që të promovonte romanin e fundit “Anjeza nuk u zgjua”, një libër të përfunduar dy vjet më parë, por tek i cili punoi deri dy çastet e fundit përpara se të përfundonte në shtypshkronjë, po këtë javë. Njëlloj sikur i dhimbsej të ndahej prej krijesës së tij, që ndryshe nga sa ndodh në jetë, e kishte krijuar për ta vrarë.

Preç Zogaj nuk e zgjoi Anjezën e tij. Në vend të jetës, ia dorëzoi vdekjes që Anjezat të jetojnë më gjatë. E vrau si për të kujtuar se në këtë skaj të dheut, vetëm të vdekurit kanë të drejtë. Se në çdo skaj të dheut, vetëm të vdekurit nuk gënjejnë kurrë!

Natyrisht Zogaj nuk është shenjt, por modestia e tij e heshtur, është klithma e një qytetari të Evropës së re nga Tirana, në Ballkanin plak. Portreti i tij i jep pak shkëlqim idealisti Shqipërisë: një vend që ende i do ende poetët ka gjithmonë shpresë për nesër!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb