TIRANE- Shkrimtari dhe kandidati për deputet në listat e PD në Lezhë që nuk arriti ta marrë mandatin, Preç Zogaj ishte i ftuar në ‘Këndin e Ekselencës’ në emisionin ‘Vila24’ në ‘News24’. Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve mbi zgjedhjet e 25 qershorit krahasimin mes qeverisjes së Ramës dhe paraardhësit të tij, Sali Berisha, shkrimtari Preç Zogaj tha se Rama ka zhdukur tenderin dhe garën.

Rama ka krijuar defekte siç janë koncesionet duke i bërë rrush e kumbulla. Berisha ka bërë punë të mëdha në atë kohë. Rama zhduku tenderin dhe garën. Kjo do të thotë se gjithçka e vuri në funksion të autoritarizmit të tij. Në kohën e Berishës kishte korrupsion, por kishte një garë. Konkurronin 20 firma për të marrë një tender. Në periudhën e Ramës u zhduk tenderi. Koncesionarët janë të përcaktuara. Rama ndërtoi sistemin e kapjes së gjithë institucioneve”- tha Zogaj, raporton ‘BalkanWeb’.

Ndërkohë sa i përket zgjedhjeve të 25 qershorit, Zogaj tha se ato ishin zgjedhjet më të shëmtuara duke i krahasuar me zgjedhjet në vitin 1996, pasi sipas tij dominoi shitblerja e votës e cila fryu fitoren e PS.

“Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 ishin zgjedhjet më të shëmtuara krahasuar me zgjedhjet e vitit 1996. Shitblerja masive e votës dominoi. Kjo është një nga shkaqet e humbjes së PD, por PS nuk i ka fituar zgjedhjet. Manipulimi dhe shitblerja kanë fryrë fitoren e PS”- tha ai.

I pyetur për marrëveshjen e 18 majit Rama-Basha ku iu dha fund ngërçit politik, Prec Zogaj u shpreh Edi Rama ka thyer marrëveshjen duke prerë në besë Lulzim Bashën.

“Siç erdhën punët, PD më mirë të shkonte në ‘luftë’ me PS sesa me marrëveshje. Problemi madhor është shitblerja e votës dhe kanabisi. Marrëveshja i maskoi problemet. Edi Rama e ka thyer marrëveshjen. PD refuzoi Evropën, por jo SHBA. PD u tërhoq nga vendimi i bojkotit pasi kishte filluar fushata dhe pas ndërhyrjes së SHBA. Edi Rama e ka prerë në besë Lulzim Bashën. Ai ka thyer një marrëveshje e cila u realizua me ndërhyrjen e SHBA”- tha Zogaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: