1 metër e 20 cm është trashësia e borës që ka rënë orët e fundit në një nga zonat e thella të qarkut të Korçës, në zonën Shtyllë-Panarit të njësisë administrative Vithkuq. Edhe pse zona më e largët e Korçës, ajo nuk është bllokuar, pasi strukturat e Emergjencave Civile në bashkinë Korçë kanë punuar dhe punojnë në vazhdimësi për heqjen e dëborës nga rruga dhe kriposjen e saj.
Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Qendër-Lindje shkuan vetë në Panarit, për të parë nga afër situatën në këtë zonë, me lartësi deri në 1750 m mbi nivelin e detit, në pikën e saj më të lartë, në Mashkullore.
“Akset që lidhin qytetin e Korçës me zonat malore janë të gjitha të kalueshme, megjithatë drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes të shtuar e të pajisen me goma dimërore e zinxhirë kur udhëtojnë drejt këtyre zonat me prezencë të lartë dëbore”, shkruan prefekti Jole në FB. Ai siguron se çdo segment rrugor në qarkun e Korçës mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti Rrugor Qendër-Lindje dhe Policia e Qarkullimit Rrugor.