NGA AURORA GOLEMI

TIRANE- Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24” solli në vëmendje historinë e Agronit, i cili që prej moshës 12-vjeçare nuk ka pasur një çati mbi kokë, por për 50 vite rresht gjente ndonjë qoshe pallati të kalonte natën. Zemra e tij e mbushur me dashuri kërkonte që një ditë të kishte para, për të ndihmuar të varfrit. E vetmja gjë që kërkonte Agroni ishte një strehë.


Elvis Naçi së bashku me Sidrit Bejlerin e shoqërojnë Agronin brenda një apartamenti.

“Ky apartament i është dhuruar fondacionit, por tashmë është apartamenti yt”, thotë Naçi.

“Mos u çudit fare, se ëndrrat kthehen në realitet, ajo që duket e pamundur bëhet e mundur. Vëllai ynë i dashur hape derën dhe merri këto çelësa, se kjo shtëpi është shtëpia jote”, iu drejtua Elvisi Agronit.


Por surprizat për Agronin nuk mbaruan me kaq. Elvisi dhe Sidriti dëshironin që gjithë pamja e tij të transformohej në një zotëri të vërtetë. Dhe ndalesa e parë ishte tek berberi. Një prerje flokësh e denjë për një zotëri. E më pas u siguruan veshje të reja.

Këpucë fine, një këmishë dhe kostum shik. Kush do ta shikonte look-un e tij të ri ndoshta nuk do ta njihte. Tek Agroni nuk ka më asgjë të përbashkët me endacakun që dridhej nga të ftohtit në cepin e Pallatit të Kongreseve, i mbuluar me kartonë. Atij tashmë i është rikthyer dinjiteti dhe integriteti “i humbur” rrugëve të Tiranës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb