Kryeministri Edi Rama ka zbuluar çfarë është diskutuar në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila u zhvillua prej orëve të mëngjesit në selinë rozë.

Duke folur për media në fund të mbledhjes, Rama deklaroi se u bë një diskutim me pjesëmarrjen e të gjithë socialistëve për të vijuar procesin e brendshëm pas procesit zgjedhor të 30 qershorit.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se në mbledhjen e gjatë të Kryesisë pati një ballafaqim të socialistëve me të gjitha elementët që janë vënë në tavolinë dhe me përgjegjësitë e tyre për të vijuar këtë proces, deri në zgjedhjet e qershorit 2021.

“Ndryshe nga çfarë shpesh thuhet gabimisht, ne diskutojmë hapur dhe jemi ballafaquar me të gjithë elementët që kemi vënë në tavolinë për të adresuar dhe me të gjitha përgjegjësitë që secili ka për të vijuar këtë proces, që kemi luksin ta zhvillojmë edhe në një kohë përpara vitit të ri politik, shtator.

Kemi pasur një diskutim të gjatë me pjesëmarrjen e të gjithëve për të vijuar procesin e brendshëm, sepse kemi mësuar që pas çdo procesi zgjedhor pavarësisht fitores është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ku janë problemet që duhen trajtuar dhe të përpiqemi së bashku të lexojmë votën, të lexojmë pritshmërinë, të lexojmë atë që është baza e formësimit të një qasjeje strategjike elektorati.

Diskutimi është lidhur me ndërtimin e strategjisë afatmesme dhe afatshkurtër, afatgjatë zgjedhjet e qershorit të 2021, si afatshkurtër gjithë procesin e brendshëm të zgjedhjeve në PS, kombinuar me gjithë procesin e planifikimit dhe administrimit të gjithë këtyre territoreve, që tani janë besuar drejtuesve socialistë në bashkitë e vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb