Kryetarja e parlamentit të Shqipërisë Elisa Spiropali, në fjalën e saj në parlament, komentoi edhe vrasjen e 14-vjeçarit në Tiranë. Spiropali deklaroi se prej ditës së djeshme përpiqet të mbajë lotët për humbjen e jetës së vogëlushit. Ajo tha se ngjarja nuk mund të përdoret për politikë ditore, ndërsa shtoi se duhet që të bëhen rregullime ligjore kundër dhunës, kryesisht asaj në internet.
“Prej dje mundohem t’i mbaj lotët për Martinin, 14-vjeçarin që humbi jetën tragjikisht prej një bashkëmoshatari të tij, që dyshohet se e ka zanafillën në gjuhën e urrejtjes, dhunën dhe abuzimin që vjen nga rrjetet sociale. Kjo dhunë një fëmije i mori jetën, një tjetër e shtye në krim. Ngushëllime familjes së djalit viktimë të dhunës. Jemi pranë jush në dhimbjen tuaj të madhe. Shërim të shpejtë djalit të plagosur.
Nuk është në nderin tonë që kjo ngjarje e rëndë të përdoret për politikë të ditës prej kujtdoqoftë. Detyra jonë është të reagojmë vendosomërisht dhe institucionalisht, të bëhemi bashkë për rregullime ligjore kundër dhunës në internet dhe rrjete sociale, rrjete që ngjajnë më tepër më një xhungël ku denigrimi, urrejtja, bullizmi, përdhosja e dinjitetit, janë kthyer në normë. Të kërkojmë më shumë llogari me më shumë përkushtim e përgjegjshmëri për zbatimin e ligjeve për siguri në shkolla, edukim dhe arsim cilësor”, tha Spiropali në Kuvend.
(BalkanWeb)