Irakli Davella humbi jetën sot në një atentat të ndodhur në Athinë.
Megjithatë mediat greke ngre dyshimin se Davella mund të mos ketë qenë shënjestër e atentatit, pavarësisht të shkuarës së tij që lidhet me krimin.
“Policia beson se bëhet fjalë për një pastrim hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të natës, të cilët janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafias greke . Po ashtu, në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur lëndë për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk i ka angazhuar më autoritetet.
“Person i interesit”, megjithatë ka qenë edhe njeriu i cili ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe bark dhe po lufton për jetën. I plagosuri kishte ardhur së fundi në vendin tonë nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol në pritën vrasëse. Me fjalë të tjera, ata vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga. Vlen të theksohet se, sipas raportimeve, së bashku me 45-vjeçarin që humbi jetën dhe burrin e plagosur, ka qenë edhe një burrë që nuk është prekur nga zjarri’”, shkruan Protothema.
BalkanWeb mëson se pavarësisht të shkuarës, Davella prej më shumë se një dekade ishte i pastër penalisht.
47-vjeçari rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 si pjesë e një grupi prej 10 personash, shumica prej të cilëve pjesëtarë të krimit të organizuar grek, të akuzuar për “organizatë kriminale”, “gjobvënie” etj.
Në vitin 2011, ai rezulton të jetë pjesë e një hetimi për një grup prej 17 personash të akuzuar nga policia e Korfuzit për “organizatë kriminale” e “falsifikim” e “lëshim ceqesh të këqija”. Dosja e Korfuzit, ka qenë një ngjarje e shumë diskutuar në atë kohë. Shkak ishte një shqiptar nga Saranda, ish i dënuar për trafik narkotikësh, i vendosur në qendër të hetimit.
Ai rezultoi të kishte lidhje me oficerë të policisë së Korfuzit, Kryetarin e Bashkisë së Korfuzit dhe vëllanë e një ish-ministre dhe deputete greke.
Media greke ndërkohë shkruan se ka dyshime nga policia greke, që edhe pse Davella ka rreth 13 vite që nuk rezulton problematik penalisht, të jetë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe për këtë po hetohet. Ai rezulton personazh me lidhje të fuqishme në Athinë, Korfuz e Sarandë, ku dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme.
Gjithashtu në Athinë ai rezulton pronar i një kafeneje dhe këndi lojrash në Peristeri dhe një biznesi dhënie makinash me qera në ishujt grekë. Gjithashtu me biznes aktiv bar-kafeje rezulton edhe në Mesopotam, Bashkia Finiq por nuk dihet nëse është funksional.
(BalkanWeb)