Pas tre muaj qëndrimi në koma në spitalin e Traumës 14-vjeçari Renis Muca është transportuar drejt një klinike të specializuar në Ankara. Dërgimi i djalit në Turqi mbulohet me para të e grumbulluara nga shqiptarët e thjeshtë që iu përgjigjën apelit për ndihmë të familjes Muca bërë në ‘News 24’. Nga ana e saj ministria e Shëndetësisë u justifikua me faktin e se i është drejtuar me shkresë spitaleve shtetërore turke me të cilat ka të lidhur marrëveshje po nuk ka një përgjigje pozitive prej tyre.

Duke parë heshtjen e ministrisë, familja vendosi ta dërgojë privatisht djalin në Turqi duke përdorur paratë e grumbulluara nga donacionet në tre llogari bankare prej tyre. Por paratë e grumbulluara mjaftojnë vetëm për disa muaj kurim të specializuar në Ankara ndaj dhe familja vijon të lutet për ndihmë financiare pasi kostoja e kurimit të tij mund të kapërcej parashikimet.

Historia e trishtë e Renisit, nisi mbrëmjen e 17 korrikut 2019 kur djali u përplas nga një automjet që lëvizte me shpejtësi në Unazën e Vogël pas Muzeut Kombëtar. Në momentin e përplasjes 14-vjeçari ishte duke lëvizur me biçikletë dhe sipas familjarëve ai ndodhej mbi vizat e bardha. Pas ngjarjes policia ndaloi 18-vjeçarin që drejtonte automjetin ‘Audi’ i cili shkaktoi aksidentin e rëndë. Policia e arkivoi aksidentin si shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por pa specifikuar që ngjarja ishte me pasoja tepër të rënda për fëmijën e aksidentuar vetëm 14 vjeç.

Djali I Semure4
Djali I Semure4

Që prej atij momenti Renisi ra në koma të thellë dhe falë mjekëve të reanimacionit të spitalit të Traumës ai mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda në disa pjesë të trupit dhe në kokë. Publiku u njoh me këtë histori të trishtë vetëm pas denoncimit të familjes Muca në ‘News 24’, ku familje tregonte me pamje sesi fëmija në gjendje të rëndë e për më tepër në koma ishte nxjerrë nga shërbimi i Reanimacionit dhe ishte transferuar në pavionin e katit të tretë, në një dhomë pa kushtet më minimale për shëndetin e tij të rënduar dhe për më tepër pa aparaturat intubuese që e kanë mbajtur në jetë pas aksidentit.
Pas publikimit në ‘News 24’ dhe ‘BalkanWeb’ të videos shokuese të filmuar nga vetë familjarët reaguan të nesërmen spitali i Traumës dhe ministria e Shëndetësisë. Spitali e riktheu të sëmurin në shërbimin e reanimacionit derisa ministria iu drejtua Turqisë për ndihmë porse kërkesa e saj nuk mori përgjigje edhe pas dy muajsh.

Ndërkohë një ndihmë të madhe familjes i dha emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’ që mbuloi shpenzimet e dërgimit të fëmijës në Turqi me avion sanitar si dhe ofroi 5 mijë euro për kurimin e tij. Stafi i ‘News 24’ dhe ‘BalkanWeb’ i uron Renisit shërim sa më të shpejtë dhe kthimin shëndosh e mirë pranë familjes dhe shokëve të shkollës që kanë dhuruar para për kurimin e tij.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb