NGA IV KALOCI

Në zgjedhjet e para parlamentare që u mbajtën në pranverën e 1921-it, në programet e tyre elektorale të publikuar në shtypin e kohës, kandidatët për deputetë u premtonin zgjedhësve: ndershmëri, përkushtim, luftë ndaj kontrabandës, rrugë të reja, pasaporta për jashtë shtetit, liri shtypi, hekurudha e termocentrale, gjykata të pakorruptuara, ulje taksash, kredi të buta për fshatarët, përmirësimin e spitaleve etj., etj. Një histori që përsëritet pikë për pikë edhe sot pas 94 vitesh…!

ZGJEDHJET E PARA NË 1921-IN: SHQIPËRI EVROPIANE
Në zgjedhjet e para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë, me fillimin e fushatës elektorale i publikun programet e tyre në shtypin e kohës. Po t’u referohemi atyre programeve elektorale dhe premtimeve të kandidatëve për deputet, që u përkasin 86 viteve të shkuara, do të shohim se asgjë nuk ka ndryshuar nga premtimet që vazhdojnë të bëhen në fushatën elektorale që ka nisur prej disa ditësh për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Madje, ngjashmëria e tyre, (duke përjashtuar teknologjinë moderne të mjeteve të komunikimit masiv), nuk dallon as nga forma dhe as nga përmbajtja.

Ashtu si në këtë fushatë elektorale të këtyre ditëve, e cila është duke u zhvilluar me bujë të madhe, edhe në zgjedhjet e para parlamentare të 1921-it, kandidatët u premtonin zgjedhësve të tyre: “Ndershmëri, përkushtim, rrugë të reja, ndërtim hekurudhash dhe termocentralesh, tharje kënetash dhe bonifikime lumenjsh që po shkatërrohen nga gërryerjet e paligjshme të shtretërve të tyre, ulje të tarifave doganore dhe taksave, kredi të buta për fshatarët, privatizime të objekteve shtetërore me kredi për 30 deri në 40 vjet, asistencë të huaj nëpër të gjitha ministritë, ndihmë ekonomike, gjykata të pakorruptuara, luftë pa kompromis ndaj kontrabandës, përkujdesje për familjet e varfra që i marrin ushqimet me lista, Shqipëri evropiane”, etj., etj.

Po kështu, ashtu si dhe sot, në shtypin e 94 viteve të shkuara, gazetarë dhe publicistëtë ndryshëm të atyre viteve u bënin thirrje popullit që të mos mashtrohej nga premtimet e kandidatëve të tyre, por të mblidhnin mendjen dhe t’ua jepnin votën, vetëm atyre politikanëve dhe kandidatëve që kishin dhënë prova besnikërie ndaj Shqipërisë, që nuk shiteshin tek të huajt, që ishin të pakorruptuar, që do të ndienin përgjegjësinë e barrës së madhe që u kishte dhënë populli etj., etj. Një histori që vazhdon të përsëritet pikë për pikë edhe sot e kësaj dite si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja e saj! Nga ajo fushatë elektorale, kemi përzgjedhur për botim: një editorial të gazetës “GAZET’E KORÇËS”, një shkrim të gazetës “TARABOSHI” si dhe programin elektoral të kandidatit për deputet të qarkut të Korçës, Doktorr Nikollaq P. Zografit, i cili asokohe u publikua i plotë po në gazetën “GAZET’E KORÇËS”.

GAZETA ‘TARABOSHI’: VETËQEVERIM A VDEKJE
Për me i pshtue rrezikut t’mnis e të krenis s’anmiqve, si t’afërm ashtu dhe të largët, vendi jonë s’ka pse të lypë tjetër rrugë veç se t’jenë mik me të gjithë e i lirë prej t’gjithvet. A dona me ju pshtet serbëve e grekëve? Kan me na ra n’shpin italiant, e s’kena me mujtë me pasë as besim t’plotë ndër fqinjët…! Jeta jonë munt të barazohet me atë të nji lindrakut; çdo hap i qitun shmang mund të na hupin jetën! E mos të na thohet se jemi në mbrojtje të Lidhjes s’Kombevet…! Asht punë për t’rrejtë vetin, pse Lidhja e Kombevet përmbledh në veti dhe tingëllimet e interesave të posaçme të ç’do shteti, e sot për sot nuk ka as ushtri dhe as anji luftë! Për mrekulli kjem pranue në Lidhje t’Kombeve, faliminderëz inglizëve dhe veprës të Nolit e të Mosit.

Duhet me kenë të dalun mëndç me kujtue se Lidhja e Kombeve do të nisë luftë për me pshtue… e ke? Ne qi dona me i nxjerrë shpirtin vetit me duert t’ona! A populli i jonë i kundërshton me fuqi ngatërresave t’ndierzvet qi i janë shitë të huejve, të cilët harxhuan miliona, a lirija e jonë asht në rrezik të humbin. A populli i jonë i prish lojën ngatërrestarëve të huej (të cilët fort udobisht mund të jenë të gjithë në një fjalë), a ka marue jeta e jonë! Duhet qi në Parlament të shkojnë ndjerëz qi t’ë mos jenë miq të kti, o t’ati Shtet, por shërbëtorë t’Atdheut e të bajnë politikë thjesht kombëtare, d.m.th. Shqyptare. Mos të harrojmë se ndër vendet e tjera asht turp i madh qi zgjedhjet të bahen me pare të qeverisë. E çka do të thohet kur të bahen me pare të të huejve? Sa ligshtijë e sa poshtnim…! Vetëm Perëndija e Populli mund të pshtojnë Atdhenë t’onë!…

RASTA E ZGJELLJEVE
Jemi fort të gëzuem për t’prumit e mirë t’popullit, i cili difton se e ka fort për zemër fatin e Atdheut. Katolikët përherë besnikë e t’lidhun rreth Shoqnis për t’Drejtat Kombëtare, kanë zgjedhun ndjerëz atdhetarë qi bajnë pjesë në shoqninë ose kanë besimin e plotë të sajën, e kanë me ju gjegjun dëshireve të popullit, i cili ka nevojë për paq, për punë e me mbajtë larg vetit ngatërresat e hueja kushdo t’jenë shkaktari i tyne. Myslimanët nuk janë t’përfaqësuem prej ndonji Shoqnis a Klubit, por gjithnji kan punue e kan qindrue si duhet tuej ba me pa çiltas se dishiri i tyne asht qi t’ë çohen në Parlament ndjerëz të ndershëm, qi t’u shërbejn Atdheut e jo të huejve.

Në “GAZET’E KORÇËS’, premtimet elektorale të kandidatit për deputet Doktor Nikolla P.
Zografi: Ja programi im për zgjedhjet
Doktor Nikolla P. Zografi vë kandidaturën për deputet i paanshëm në Korçë dhe në qarkun e saj me ketë program

Popull! Kam shëtitur Shqipërinë, zakonet e vendit i di mirë, shtëpia ime do të jetë e hapur natë e ditë për shërbimin e popullit, jam i palodhur dhe i papërtuar, për të mbushur dëshirat e popullit, hatëre do të mos mbanj, po do të përpiqem me shpirt dhe me mish, përveçse jam Doktor, po flas dhe 6-7 gjuhra. I kam shërbyer atdheut pe njezetepesë vjet, kam vojtur, jam ndjekur dhe burgosur me të gjithë vëllezërit tim, jam bërë shumë herë muhaxhir për çështjen kombëtare, me gjithë shtëpinë time kam qenë profesor në Shkollën Shqipe të Korçës ndë kohrat e Tiranisë. Kam luftuar si luftëtar me pushkë në kohën e Princ Wied dhe pastaj si Doktor në Durrës në Luftrat e Shën- Jakut (1913) Dhe kam marrë dhe nishan (dekorasion) nga Mbreti i Shqipërisë Princ Wied për këtë shërbim.

Të paraqit programin si pason:
1) Përkujdesja e qëndrimit të gjykatores së Përtrimit në Korçë më çdo therrori për dobi të tregtisë dhe fitimin të popullit.
2) E pakësuara e pagesës së doganës.
3) E pakësuara e pagesave që të mos rëndohet populli dhe që të mos kemi harxhe shumë dhe të mos kemi shumë nëpunës të tepërt.
4) Rregullimi i çpejtë i postave për lehtësirën e tregtisë.
5) Përndarja e ushtrisë dhe rregullim i Xhandarmërisë do të mjaftojë për mbrojtjen e qetësisë, vendit dhe kufive nga an’ e kontrabandës si dhe nga çdo aksidente.
6) Sjellja e organizatorëve të huaj në tërë Ministritë dhe prefekturat për përparim të popullit shqiptar.
7) Ndihmë materiale e myslymanëve të Kolonjës, të cilët u prishnë dhe të kthyerit e tyre.
8) Ndihma ekonomike e Voskopojarëve, Shipskarëve të prishurve dhe të ndrequrit e shtëpive si dhe të Oparit dhe të vakëfeve dhe të Panaritit.
9) Liri të plotë dhe të gjerë shtypit Shqiptar, se kështu përparon çdo shtet.
10) Përkujdesja e të ndrequrit t’udhëvet tërë Shqipërisë që të udhëtojnë bota pa ndalime dhe të hollat që do të mblidhen të prishen për udhët e Korçës dhe për gjol’ e Maliqit.
11) Përkujdesja për listën e ushqimit se shtrenjtësitë e sotme ka futur familjet në rrezik.
12) Përkujdesje e çdo njeriu,i cili ka nevojë për çdo punë, jo vetëm të ndenjësve në Korçë, po dhe të Bilishtit, të Pogradecit, Kolonjës, Oparit, pastaj dhe të tjerëvet.
13) Mbrojtja e tokës së shtetit tonë i cili lipset të njihet nga tërë Fuqitë e Mëdha e paanshme (neutre) si Elvetja (Suissë) që të mos kemi shpenzime ushtarake.
14) Ngritja e ndalimit që gjejnë bota në pasaportat, të cilat të mundim t’i marrim me lehtësi dhe me shpejtësi.
15) Marrja e masave të çpejta shumë për gjol e Maliqit dhe për lumën Devoll dhe për tërë lumenjtë që sjellin dëme në Shqipëri.
16) E përpjekura që të vihet në veprim sistemi i Elektrikut me anë të lumenjve që ka Shqipëria të cilët lumenj (katarakte) mbetën të papunuara.
17) E mara e masave të duhuna për forcimin e gjykatoreve me sistem modern si dëshiron populli.
18) Përkujdesja për të ngritur çairet dhe përçairet dhe dëshpërimet dhe për të sjellë bashkim dhe afërim vëllazëror midis tërë tokave të Shqipërisë.
19) Formimi i komisjoneve për të pajtuar armiqtë (asmët) që të pushojnë asmëllëkun midis vëllazërisë, dhe secili do të merret me punët vetiake.
20) Njësia e tërë popullit shqiptar të jenë si çikna dhe… (nuk kuptohet fjala).
21) Përkujdesja për të mbrojtur dhe për të ngjallur pyllet që të mos mbetemi pa dru dhe pa qereste.
22) Përkujdesja që të sjellë njerëz specialistë për të ujdisur dhe për të shëruar vreshtat, tëcilat janë prishur prej kohësh dhe nuk bëjnë rrush. 23) Eksploratira e minave (Mademeve) që të hapen punëra për Shqiptarë.
24) Çifligjet e Shtetit të ndahen në buqit të cilët nuk kanë dhe të ndahet duke detyruar që të paguajnë me dhënie (këste) më 30 deri 40 vjet.
25) Përkujdesja për të bërë udhë të hekurta ndë tërë Shqipërinë për lumtësirat e të dashurit popull.
26) Përkujdesja që të hapen shkolla, më shumë se me arsim vjen tërë lumturia dhe përparimi.
27) Përkujdesja për burgjet dhe për të burgosurit, pa sistem mjekësie (shëndetësisë) e të gjykohen për së shpejti, që të mos rrinë shumë veta kot dhe shumë kohë të burgosur.
28) E pakësuara e nëpunëseve të qeverisë dhe e preferuara e atyre njerëzve që janë më të ditur dhe më të nderçmë.
29) Përkujdesja e shëndetësisë pas sistemit modern dyke sjellë doktorë specialistë dhe dyke formuar spitalet pas sistemit Evropian. Me këtë program ve kandidaturën për deputet dhe kërkoj ndihmën morale të popullit dhe votat e popullit, të cilët popull, jam fare i sigurtë se do të i’ja japim një luftëtari dhe vëllaj dhe bashkëluftëtari të provuar.

I Juaji me besë Doktor Nikollaq P. Zografi

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb