Ka sjellë një irritim të madh në ambientin futbolldashës të Kavajës, vendimi i kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e 4 impianteve në vend. Do të përfitojnë qytete si Korça, Durrësi, Vlora dhe Tirana, por jashtë është lënë stadiumi “Besa”.
Edhe pse është klasifikuar si i dëmtuar nga tërmeti dhe në të duhet ndërhyrë me urgjencë, nuk është përfshirë në këtë listë. Qeveria e ka parë të udhës që të investojë në stadiumet “Skënderbeu”, “Niko Dovana”, “Flamurtari” dhe “Selman Stërmasi”, të cilat aktualisht i plotësojnë kushtet për aktivitetet futbollistike. Historitë e verdhezinjve i di i madh dhe i vogël tashmë: prej vitesh luajnë ku të mundin. Këtë edicion po shfrytëzojnë stadiumin e Peqinit, ndërsa më herët ka shfrytëzuar fushën e Luzit, por edhe Pezës.
Imazhet e para që të vijnë në mendje sa përmendet ai impiant, që në fakt vetëm i tillë nuk quhet, janë ato të deleve, dhive e lopëve që shfrytëzojnë barërat e këqija… Që nga viti 1975 ku stadiumi nuk ka njohur më asnjë investim, qoftë edhe ndonjë rikonstruksion të thjeshtë. Edhe pse kemi hyrë në vitin e 48-të të inaugurimit të tij, sërish anashkalohet dhe duket se kjo është ajo që ka sjellë indinjatë te kavajasit.
AKUZAT – Më të prekur janë ata që kanë luajtur për Besën dhe i tillë është rasti i Agron Karriqit, familja e të cilit ka kontribuuar me breza për verdhezinjtë (duke nisur nga Demiri e kaluar te Muharremi). Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai flet ashpër për vendimin e fundit. Ai madje mendon se kryeministri e ka futur Kavajën në listën e “armiqve” të pushtetit.
“Mua nuk më çudit fakti që Edi Rama nuk e llogarit fare Kavajën si qytet, ndonëse ka detyrimin për të investuar, pasi edhe ne kavajasit paguajmë taksa si të gjithë. Janë një sërë hapash që e dëshmojnë këtë, por po flasim vetëm për futbollin, atë me të cilin Kavaja njihet si një ndër ekipet që themeloi futbollin në Shqipëri. Është ‘Thembra e Akilit’ e këtij qyteti dhe zemra e tyre. Në atë stadium, qindra kavajas lanë rininë e tyre, përjetuan lot gëzimi e hidhërimi, ishte ‘shtëpia’ jonë e dytë.
Të ndërtosh stadiume në Korçë, Vlorë e Durrës dhe të lësh Kavajën që ka një stadium ku kullosin dele e lopë, është jo vetëm fyerje për qytetarët e Kavajës, por edhe një tregues se Rama e urren Kavajën. Ishin ngjarjet në stadiumin ‘Besa’ ato që i prinë demokracisë në Shqipëri, dhe të gjithë prisnim që të kthehej në një stadium modern e simbol lirie, për vetë rolin që pati. Po me sa duket, kjo ka qenë arsyeja themelore përse Rama nuk e futi në listën e stadiumeve që do të ndërtohen. Me këtë ndëshkim, ai thjesht vijoi atë linjë urrejtjeje që diktatura kishte për Kavajën, duke e ‘vrarë’ në simbolin e tyre shekullor”, tha fillimisht ai.
BASHKIA – Ai thekson se faj në këtë mesele kanë edhe vetë bashkia, por edhe qytetarët. “Pavarësisht të gjithave, futbolli në Kavajë do të mbijetojë, pasi atë e ka në gjak çdo familje. Lotët e Muharrem Karriqit të ardhur nga Italia ku jeton, teksa vizitoi atë stadium gërmadhë, janë akuza më e rëndë jo vetëm për Ramën, por për të gjithë, edhe ne qytetarët që heshtim kur na preket simboli. Vështirë të gjesh një familje në Kavajë që nuk ka pasur një baba, xhaxha, djalë apo nip kontribuues te Besa. Më vjen keq edhe për bashkinë, e cila është votuar nga kavajasit për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Kavajës dhe jo si aneks shtesë i qeverisë.
Duhet të ishin ata të parët që të reagonin kundër këtij diskriminimi e fyerje ndaj qytetarëve të tyre, por me sa duket nuk ndihen më si përfaqësues të qytetarëve të Kavajës. Fyerja thellohet po të kemi parasysh se na u servir edhe një projekt, madje vetëm për të marrë vota, duke ditur ndjeshmërinë e madhe që kavajasit kanë për futbollin. Nuk e di me çfarë fytyre e morali do të guxojnë përfaqësuesit e Ramës pas kësaj, të kërkojnë përsëri votën e kavajasve më 14 maj”, përfundon Agron Karriqi prononcimin e tij.