Arbjan Mazniku, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, ka bërë një deklaratë surprizuese gjatë një interviste në studion e News 24. Sipas tij, Elbasani do të jetë mikpritës i një gare të Formula 1 deri në vitin 2030 – një event që pritet të sjellë mbi 100 mijë vizitorë nga e gjithë bota.
Mazniku theksoi se kjo iniciativë është pjesë e një strategjie më të gjerë të PS për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në qytetet jashtë Tiranës. “Jemi duke punuar që të kemi infrastrukturën e duhur për një garë të këtij niveli ndërkombëtar. Po ecim përpara”, u shpreh ai.
Ai shtoi gjithashtu se Tirana është kthyer tashmë në një model suksesi për turizmin urban në Ballkan dhe se ky model po zgjerohet në qytete të tjera si Vlora, Gjirokastra dhe Berati. Sa i përket sfidës së furnizimit me ujë 24 orë, Mazniku pranoi se ende nuk është arritur kudo, por u shpreh optimist se deri më 2030 ky nuk do të jetë më një problem.
Arbjan Mazniku, drejtuesi politik i PS për qarkun Elbasan: Uji 24 orë në gjithë Republikën nuk është sot, por është bërë punë në këtë drejtim, pasi gjërat nuk janë aq të lehta që të bëhen, duke qenë se në Shqipëri ka shumë ndërtime në zona informale. Brenda 2030, ky nuk do jetë më një problem. Tirana është shembull për qytetet e tjera, sa i përket turizmit. Tirana në verë është mbushur plot turistë. Tirana, Vlora, Gjirokastra, Berati, këtu kanë qenë, por PS ka pasur politika strategjike për të zhvilluar turizmin. Më 2030 do kemi Formula 1 në Elbasan dhe do ketë 100 mijë turistë. Po ecim me punimet, që të jetë infrastruktura e duhur për këtë garë gjigande në nivel ndërkombëtar. Më mungon Tirana dhe është krenari në mbarë Ballkanin, rivalizon gjithë kryeqytetet ballkanike.