Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha të hënën se do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin “shumë shpejt” pasi të ketë marrë detyrën, javën e ardhshme.
Zoti Trump nuk dha një afat kohor se kur mund të mbahej takimi, i cili do të ishte i pari mes udhëheqësve të të dy vendeve që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Kur u pyet mbi strategjinë e tij për t’i dhënë fund luftës, zoti Trump i tha televizionit Neësmax se “ka vetëm një strategji dhe ajo varet nga Putini dhe nuk ma do mendja se është shumë entuziast për mënyrën se si ka shkuar lufta sepse nuk ka shkuar mirë as për atë”, tha zoti Trump.
“E di se ai do të më takojë dhe unë do ta takoj shumë shpejt. Do ta kisha takuar më parë, por duhet marrë detyra. Për disa gjëra, është më mirë të kesh marrë detyrën”, tha Presidenti i zgjedhur.
Ligjvënësi Mike Waltz,i cili pritet të jetë këshilltari i ri për Sigurinë Kombëtare tha të dielën se pritet që të ketë një bisedë telefonike mes zotit Trump dhe zotit Putin “në ditët apo javët e ardhshme”.