Partia Socialiste do shkarkojë të gjithë kryetarët e degëve të saj në rang bashkie që kanë punuar keq. Propozimi është bërë dje gjatë mbledhjes së përbashkët të Kryesisë së PS-së dhe grupit parlamentar, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Propozimi është bërë i njohur për mediat pas mble-dhjes nga zëdhënësja e kryesisë së kësaj force, Elisa Spiropali, e cila në fakt e bëri këtë fakt të kryer, duke deklaruar shkarkimin e 11 krerëve të degëve të Partisë Socialiste.

“Në mbledhjen e sotme të kryesisë u shkarkuan 11 kryetarë socialistë. Janë vënë re vonesa të pajustifikueshme në riorganizimin e partisë, në fushatën e anëtarësimeve dhe në degët lokale”, tha Spiropali. Por, duket se kemi të bëjmë me një lapsus të Spiropalit, pasi menjëherë pas kësaj deklarate, nga selia rozë u qartësua se gjatë mbledhjes së kryesisë nuk ishte marrë vendimi i shkarkimit, por vetëm ishte diskutuar propozimi për shkarkim të 11 kryetarëve të PS-së në nivel bashkie. Madje, nga zyra e shtypit u bë e ditur se tashmë ky propozim do të diskutohet me drejtuesit politikë të qarqeve si dhe asambletë e rretheve për të vendosur më pas nëse do të vendoset për shkarkimin e tyre ose jo.

Arsyet
Burime nga Kryesia e PS-së bënë të ditur se arsyet e këtij propozimi drastik lidhen me punën e dobët të bërë prej tyre në drejtimin e partisë, sidomos sa i përket përmbushjes së detyrimeve, që lindën nga vendimmarrja e mbledhjes së fundit të Asamblesë Kombëtare. Bëhet fjalë për proceset organizative në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, si dhe fushatën e anëtarësimeve në parti. Mësohet se ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, ai që është ankuar për neglizhencën e socialistëve, përfshi kryetarët e degëve, drejtuesit e pushtetit vendor dhe ka kërkuar nga drejtuesit politik të çdo qarku që të analizojë veprimtarinë e tyre dhe në mënyrë të veçantë atë të drejtorëve lokalë. “Vihet re një shkëputje nga disa territore. Drejtuesve politikë u është kërkuar që të rrisin prezencën në territor dhe në qarqet që mbulojnë, sidomos në bashkitë që drejtohen nga opozita, ku vihet re një degradim i madh i marrëdhënies së pushtetit lokal me qytetarët”, shtoi Spiropali.

Listën e emrave dhe shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb