Numri një i stolit të Tiranës, Gugash Magani u shfaq në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes ndaj Elbasanit.
“Të gjithë ndeshjet e Superiores janë të vështira. Me Elbasanin do të jetë një ndeshje shumë e luftuar për shkak të rivalitetit që kanë pasur të dy skuadrat gjatë gjithë kohëve. Luajnë në Elbasan, me një tifozeri që gjithmonë ka pasur rivalitet sportiv me tifozët e Tiranës, ndaj mendoj se do të jetë një shfaqje për t’u parë. Për pozitat që jemi në tabelën e klasifikimit, Tirana i ka të gjitha ndeshjet finale, edhe për shkak të objektivave që ka klubi. Ndeshja është e vështirë, por nuk është e pamundur. Ne do të futemi në lojë për të marrë maksimumin e pikëve, por mbetet për t’u parë. Do jetë një 90 minutësh që duhet menaxhuar mirë.
Nga ndeshja a fundit kemi një mungesë të sigurt që është Meta, lojtar që është dëmtuar me Bylis. Vazhdon të jetë i dëmtuar edhe Prengaj. Pjesa tjetër e grupit është e gatshme për të dhënë më të mirën në fushë”, tha Magani.