Nga PETRIT HALITI*

Ndonëse në mesin e shteteve të rajonit tonë është shteti që meriton më pak se të gjithë që të marrë kryesimin e radhës të OSBE, Serbia do të ketë nga 1 janari i vitit 2015 presidencën e organizatës prej 57 shtetesh. Nga të gjitha shtetet e kësaj organizate, që kanë pasur kryesimin gjatë 20 vjetëve të institucionit të kryesimit, Serbia është shteti mbi të cilin bien dyshimet më të mëdha lidhur me atë, nëse do të jetë në nivelin e postit dhe të mandatit, dhe nëse do jetë në gjendje të drejtojë apo të mosdrejtojë në rrugën e duhur OSBE-në gjatë një viti. Kjo nuk ka të bëjë me madhësinë e shtetit apo me limitet e kapaciteteve diplomatike dhe menaxheriale, por ka të bëjë me prioritetet, me përmbajtjen dhe me produktin e politikës së Serbisë gjatë këtij kryesimi. Serbia është një shtet i ri anëtar i OSBE, që ka hyrë në këtë organizatë në nëntor të vitit 2000, pra dhjetë vjet më vonë se Shqipëria. Politika që ka ndjekur gjatë kësaj periudhe në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, pavarësisht se ka tani statusin e shtetit kandidat të BE, nuk sjell prova bindëse për një rol të vërtetë të paanshëm kryesimi, të pranueshëm për të gjitha shtetet. Në uebsajtin e MPJ të Lituanisë mund të lexosh kritikat e ashpra, që Lituania i ka bërë kandidaturës së Serbisë në vitin 2012, kur në debatet e Këshillit të Përhershëm të OSBE përfaqësuesi lituanez tërhiqte vëmendjen e delegacioneve të pranishme për rrezikun potencial dhe pasojat e vendosjes në krye të OSBE të një shteti, që ka vështirësi të zbatojë rregullat dhe se nuk është mirë që OSBE të zgjedhë kryetar radhe një shtet, që zgjedh ndarjen mbi konsensusin. Serbia e merr kryesimin në kulmin e krizës së Ukrainës, e shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në atë vend, nga pushtimi rus i Krimesë dhe nga ndezja e luftës separatiste në Ukrainën Lindore. OSBE është angazhuar aktivisht në kërkimin e një zgjidhjeje për këtë vatër krize dhe presidenca zvicerane e OSBE gjatë vitit 2014 ka qenë model i një ndërmjetësimi dhe aktivizimi neutral dhe mbi palët. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi në 23 dhjetor në Kiev se “kriza ukrainase do të jetë prioriteti i kryesisë serbe të OSBE”. Por a është në gjendje Serbia në krye të OSBE ta luajë këtë rol si Zvicra? Natyrisht, as që mund të tentohet të bëhet ndonjë krahasim mes neutralitetit të Zvicrës dhe pseudoneutralitetit të Serbisë në çështjet ndërkombëtare. Ky është një mision i pamundur, sepse Serbia e merr kryesimin, dhe bashkë me të barrën e udhëheqjes së misionit të OSBE në Ukrainë, në një kohë kur Beogradi është i komprometuar së tepërmi me anësinë e tij në favor të Rusisë. Kriza ukrainase është një përplasje mes agresorit rus dhe viktimës ukrainase dhe dy palët nuk mund të trajtohen dhe të klasifikohen njësoj. Jo vetëm kaq, por Serbia praktikisht është rreshtuar me politikën e Rusisë në Ukrainë dhe ajo ka qenë dhe është kundërshtarja më e rreptë e vendosjes së sanksioneve të BE kundër Rusisë agresore. Serbia nuk ka dënuar aneksimin e dhunshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia dhe nuk ka dënuar ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainën Lindore. Qeveria serbe i ka shkelur sanksionet e Bashkimit Europian, duke ftuar në Beograd zyrtarë dhe politikanë rusë, të cilët janë në listën e zezë të sanksioneve europiane. Serbia është shteti i vetëm ballkanik, që ka nënshkruar në majin e vitit të kaluar një marrëveshje të aleancës strategjike me Rusinë, dhe mbi këtë bazë ka detyrime ndaj këtij aleati edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në veprimtarinë e tyre diplomatike në forumet ndërkombëtare si OSBE. Serbia organizoi në nëntor të këtij viti në territorin e saj stërvitje të përbashkëta ushtarake të forcave desantuese ruse me forcat ushtarake serbe, veprim që ishte stërvitja e parë e përbashkët ushtarake ruso-serbe në Ballkan. Këto manovra ushtarake bëhen me forcat zbarkuese të shtetit, i cili ka ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë. Në kuadër të koordinimit diplomatik me Rusinë, ministri i Jashtëm i Serbisë shkoi posaçërisht në Moskë në 19 dhjetor për të zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, lidhur me kryesimin serb të OSBE dhe bashkëveprimin mes dy shteteve aleate. Të gjitha këto elemente pritet të pengojnë që kryesimi i OSBE dhe i misionit të saj për Ukrainën të jetë neutral, efikas, dhe të ketë rezultatin e dëshiruar të deshkallëzimit të tensionit dhe të krizës në Ukrainë. Serbia është aleat strategjik i shtetit që ka ndërmarrë agresionin dhe kjo aleancë me Rusinë do ta detyrojë të krijojë hapësira dhe mundësira për justifikimin e politikës ndërhyrëse të Rusisë në Ukrainë. Logjika e thjeshtë e zbërthen enigmën lehtësisht, sepse përderisa Serbia, mes Rusisë dhe BE-së, ku është shtet kandidat, zgjodhi Moskën, kuptohet se çfarë rruge do të ndjekë në zgjedhjen mes Ukrainës dhe Rusisë.

Serbia e merr kryesimin e OSBE në një kohë, që ajo ka marrëdhënie të acaruara me disa shtete të rajonit. Nuk mund veçse ta klasifikosh si cinike deklaratën e një zyrtari të lartë të OSBE në Vjenë, i cili, duke folur këto ditë për kryesimin e Serbisë, theksoi se “eksperienca e Serbisë në konfliktet rajonale është avantazh, që ajo do të ketë si kryesim i OSBE”. Themi cinike, sepse, si mund të klasifikohet si “avantazh i Serbisë” realiteti tragjik, që ajo shkaktoi katër luftëra të përgjakshme kundër popujve joserbë të ish-federatës jugosllave?! Serbia ende nuk ka kërkuar falje për gjithë krimet e asaj kohe dhe, për më tepër, udhëheqësit e saj të sotëm po shprehin të njëjtat pretendime etnocentriste serbe. Serbia nuk ka qenë në gjendje të ndjekë një politikë bashkëpunimi dhe konstruktive as me Kosovën, as me Shqipërinë, as me Kroacinë dhe as me Bosnjë-Hercegovinën. Presidenti i saj, Tomislav Nikoliç ka shprehur hapur rivendikime territoriale ndaj Kroacisë dhe ndaj Kosovës. Në shenjë proteste për këtë politikë aneksioniste serbe, kryeministri i Kroacisë anuloi vizitën e tij në Beograd në 16 dhjetor.

Në këto kondita duket qartë se është e pamundur që të mos lindin dyshime për kryesimin serb të OSBE dhe për efektet joqetësuese të këtij kryesimi në rajonin tonë. Dyshimi shkon te mundësia që Serbia të përdorë kryesimin e OSBE për të siguruar avantazhe diplomatike në favor të saj, në përplasjet e ndryshme që ajo ka me disa shtete të rajonit. Pista e parë negative pritet të jetë ajo lidhur me Kosovën. Serbia, jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por pritet të shfrytëzojë postin e kryesimit për të penguar dhe bllokuar shtetin e pavarur të Kosovës në rrugën dhe në të drejtën e tij të afirmimit si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Në fjalën e tij të mbajtur në 7 dhjetor lidhur me veprimtaritë e Serbisë gjatë kryesimit të OSBE, ministri i Jashtëm serb deklaroi se qeveria e Serbisë do të intensifikojë kontaktet e saj me vendet, që nuk e kanë njohur deri tani Kosovën. Kjo do të thotë që posti i kryesimit do të keqpërdoret nga Serbia në dëm të një shteti fqinj të saj, siç është Kosova. Dhe vështirë të mendohet se ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç do të jetë kryesues i paanshëm dhe efikas i OSBE, kur ai protestoi pse u pranua Kosova në 9 dhjetor në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ndonëse Daçiç ka firmosur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, ku shprehet angazhimi i Serbisë për të mos bllokuar Kosovën në rrugën e saj drejt BE. Kryesimi serb i OSBE nuk mund të mos risjellë në skenë pyetjen e madhe një milion dollarëshe se si qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë lejoi me pëlqimin e saj dhe mundësoi që Serbia të caktohej në 10 shkurt të vitit 2012 për të marrë kryesimin e OSBE për vitin 2015. Nuk mund të mos kërkosh përgjigjen dhe llogarinë se përse qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë në vitin 2012 pranoi që kryesimin ta marrë shteti, që nuk e njihte Kosovën, kur Kosova është pjesë e pandarë e çështjes dhe e interesit jetik kombëtar mbarëshqiptar. Nuk mund të mos shtrosh pyetjen dhe llogarinë se si diplomacia e Shqipërisë nuk bëri asnjë tratativë dhe nuk vuri kushtin për t’i kërkuar Serbisë, në shkëmbim të votës së Shqipërisë, njohjen e Kosovës ose të paktën pranimin e Kosovës në OSBE. Zyrtarë të MPJ të Shqipërisë, që janë të njohur me dinamikën e çështjes dhe që folën në konditat e anonimitetit, tregojnë se Shqipëria nuk i ka vënë asnjë kusht Serbisë as për raportet Serbi-Kosovë dhe as për raportet Serbi-Shqipëri, kur ka dhënë në vitin 2012 pëlqimin e saj për kryesimin serb të OSBE. Diplomacia e Shqipërisë e asaj kohe u përpoq të lante duart si Pons Pilati, duke bërë një deklaratë interpretative, e cila është një artific diplomatik i lejueshëm për të gjitha shtetet anëtare, për të shprehur disa sugjerime se si duhet të bëhet më mirë kryesia e ardhshme, për të cilin jepet pëlqimi. Diplomacia e Shqipërisë nuk ka vënë asnjë kusht, as në marrëdhëniet dypalëshe, dhe as ka bërë tratativa dypalëshe me palën serbe, por as ka kërkuar ndonjë gjë si shkëmbim në tratativat shumëpalëshe. Madje në deklaratën interpretative të MPJ të Shqipërisë, të bërë pas dhënies së votës shqiptare, mund të gjesh xhevahire apo idiotësira të tilla si “suksesi i Serbisë është suksesi ynë”. Në fakt, bashkë me këto dyshime për përkrahjen shqiptare të kryesimit serb të OSBE, vjen edhe një dyshim dhe më i vjetër lidhur me arsyet përse qeveria e Tiranës hoqi dorë nga kandidimi për ta marrë Shqipëria kryesimin e radhës të OSBE. Sepse në ministerialin e 15-të të Këshillit të Ministrave të OSBE në nëntor të vitit 2007 në Madrid, ministri i Jashtëm i kohës, Lulzim Basha, paraqiti me pompozitet në fjalimin e tij plenar kërkesën zyrtare, që Shqipëria të kryesonte OSBE për vitin 2012. Dhe nuk u dha kurrë shpjegim për ç’arsye u bë kjo tërheqje dhe kujt i hapi rrugë tërheqja shqiptare. Diplomacia e Shqipërisë e dha në vitin 2012 konsensusin e saj për kryesinë serbe të OSBE, pa marrë në konsideratë as marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën dhe as marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë. Shqipëria nuk fitoi asgjë, kur dha konsensusin e saj në vitin 2012, sepse nuk kërkoi asgjë. Shenjat janë se nuk pritet të fitojë gjë nga presidenca serbe e OSBE as gjatë vitit 2015. Ndaj, gjatë gjithë vitit 2015, kur diplomacia e Shqipërisë do të përplaset me pengesat apo me veprimtaritë negative apo rrethuese të Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës apo me interesat e Shqipërisë, do të na duhet të bëjmë vazhdimisht pyetjen se kush dhe përse ia dha falas pëlqimin Serbisë për kryesimin e OSBE.

(os.de/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: