Ish guvernatorja e Karolinës së Jugut dhe ish ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley vazhdoi të tërhiqte mbështetjen e votuesve republikanë për një kohë të gjatë pasi u tërhoq nga gara presidenciale. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar i hedh një vështrim mënyrës se si përkrahësit e zonjës Haley mund të ndikojnë për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve, mes presidentit Joe Biden dhe ish presidentit Donald Trump.

Gati tre muaj pasi ndërpreu fushatën e saj për zgjedhjet presidenciale, ish-ambasadorja e OKB-së Nikki Haley njoftoi se në 5 nëntor do të votojë për ish-presidentin Donald Trump.

“Biden ka qenë katastrofë. Kështu që unë do të votoj për Trumpin”, u shpreh Nikki Haley, ish-kandidate republikane për Presidente.

Por jo të gjithë përkrahësit e saj po ecin në hapat e ish-guvernatores. Në mars të vitit 2024 një anketim i Kolegjit Emerson tregoi se numri i votuesve të zonjës Haley që do të mbështesnin zotin Biden ka të ngjarë të jetë dy fish më i lartë se ata që do mbështesnin zotin Trump. Sondazhet e tjera sugjerojnë se të paktën gjysma e votuesve të zonjës Haley nuk do të votojnë për ish presidentin Trump.

“U mërzita kur dëgjova që Nikki nuk mori votat e mjaftueshme për të qëndruar në garë. Megjithatë, nuk jam një përkrahëse e Presidentit Trump. Jam shumë e shqetësuar për Partinë Republikane”, thotë Chris përkrahëse e Nikki Haleyt.

“Nuk dua të shoh as Trumpin as Bidenin në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshmëm”, shprehet John Sulkowski, përkrahës i Nikki Haleyt.

“Nuk më entuziazmon asnjëri. Kam përkrahur Trumpin dhe ndoshta do të anoja përsëri nga ai”, shprehet Jennifer Mayser, përkrahëse e Nikki Haleyt.

Zonja Haley thotë se ish Presidenti Trump duhet të bëjë përpjekje për të bindur votuesit e saj.

“Trumpi duhet të tregohet i zgjuar dhe t’i qaset miliona njerëzve që votuan për mua dhe që vazhdojnë të më mbështesin dhe jo ta marrë të mirëqenë se do të ketë mbështetjen e tyre”.

Mbështetësit e zonjës Haley mund të luajnë tol përcaktues për fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Në zgjedhjet paraprake të muajit prill në Pensilvani, zonja Haley u mbështet nga një e katërta e votuesve republikanë në lagjet e pasura në periferitë e këtij shteti, edhe pse ajo ishte larguar nga gara disa javë më herët. Analizat e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 sugjerojnë se falë përkrahjes nga votuesit në periferi zoti Biden arriti të siguronte epërsinë në zgjedhje.

Zonja Haley arriti të siguronte përkrahje të madhe në shtete që cilësohen vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, mes tyre Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Karolina e Veriut, Nevada dhe Viskonsin.

“Pamë një rritje të numrit të republikanëve të edukuar dhe të pasur që ishin të prirur të mbështesnin Nikki Haleyn. Unë mendoj se mes tyre ishin edhe votuesit e pavarur. Mendoj se një pjesë e tyre do të kenë rol përcaktues për fituesin e zgjedhjeve të nëntorit”, shprehet Dante Scala nga Universiteti New Hampshire.

“Si do të siguroni mbështetjen e votuesve të zonjës Haley”, e pyeti një gazetar ish presidentin Trump.

“Nuk jam i sigurt nëse na duhen shumë përkrahës të saj”, u përgjigj ai.

Presidenti Biden po tenton të ndikojë në mënyrë aktive tek mbështetësit e zonjës Haley, me reklama si kjo, në të cilën zoti Trump shfaqet duke kritikuar zonjën Haley, të cilën ai e emëroi ambasadore në Kombet e Bashkuara. Është pjesë e një strategjie më të gjerë e fushatës së zotit Biden për të tërhequr republikanët që janë kundër zotit Trump.

“Ajo ështe çmendur. Është një njeri shumë i zemëruar”, dëgjohet të thotë zoti Trump në reklamën zgjedhore të demokratit Biden.

“Deri tani, sfida e zotit Trump është të konsolidojë përkrahjen e votuesve të Nikki Haleyt. Nuk e di nëse e quani votë republikane, por atij i nevojitet të sigurojë një shifër të lartë të votave të zonjës Haley”, shprehet Larry Sabato nga Universiteti i Virxhinias.

Deri tani nuk ka pasur një përpjekje të qëndrueshme publike nga ekipi i fushatës së zotit Trump për të tërhequr votuesit që mbështetën zonjën Haley në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane. Edhe pse, në një garë të ngushtë, këta mbështetës mund të jenë përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb