Katari ndërmjetësoi të martën bisedimet që përfshinin presidentët e Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos , të cilat Doha tha se ishin pjesë e përpjekjeve për të “lehtësuar situatën” në pjesën lindore të Kongos.
Udhëheqësi i Ruandës Paul Kagame dhe presidenti kongolez Felix Tshisekedi u pritën nga Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Takimi vjen vetëm një ditë pasi rebelët M23 – që besohet se mbështeten nga Ruanda dhe që nisën një ofensivë në shkallë të gjerë në Kongon lindore – u tërhoqën nga bisedimet e paqes në Angola të hënën .
Ruanda mohon mbështetjen e rebelëve M23 pavarësisht pretendimeve të përsëritura për të kundërtën.
“Krerët e shteteve riafirmuan angazhimin e të gjitha palëve për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar, siç u ra dakord në një samit afrikan muajin e kaluar”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga të tre vendet.
Udhëheqësit afrikanë falënderuan Katarin për “këtë takim të frytshëm, i cili ndihmoi në ndërtimin e besimit në një angazhim të përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për Republikën Demokratike të Kongos dhe rajonin”.
Deklarata e përbashkët nuk dha detaje specifike se si do të zbatohej apo monitorohej armëpushimi.
Rebelët M23 kishin planifikuar negociata të drejtpërdrejta me Kinshasën për t’i dhënë fund konfliktit në lindjen e pasur me minerale të Kongos, por të hënën thanë se po tërhiqej për shkak të sanksioneve të vendosura nga BE.
(BalkanWeb)