Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i cili ndodhet në Vienë për një vizitë zyrtare është takuar të martën me homologun e tij austriak, Alexander Van der Bellen.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj u shpreh se Shqipëria ofron një klimë tërheqëse investimi dhe se në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve ka potencial për shfrytëzim, në rradhë të parë parë në turizëm, ku Shqipëria po njeh një zhvillim shumë pozitiv.

Nga ana e tij, presidenti austriak Alexander Van der Bellen, në një postim në “X” ka shkruar se Austria do të kujdeset që Ballkani Perëndimor të jetë lartë në agjendën e Bashkimit Evropian në aspiratën për integrim në këtë rajon për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të Austrisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, si dhe në përpjekjet tona të vazhdueshme për të siguruar që Zgjerimi i BE-së dhe Ballkani Perëndimor të qëndrojnë në krye të axhendës së BE-së”, ka thënë ai.

Po ashtu ka folur specifikisht për progresin që ka shënuar Shqipëria dhe synimin për integrim në BE deri në vitin 2030.

“Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm në vitet e fundit dhe është bërë një nga pararendësit në procesin e anëtarësimit në BE. Ambicia e vendit është të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”, ka thënë ai.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb