TIRANE
Botuesi dhe gazetari i njohur Nikoll Lesi u nderua sot me titullin ‘Mjeshtër i madh’ nga presidenti i republikës. Ky nderim i veçantë për botuesin e njërës prej gazetave më të rëndësishme të kohës, gazetës së parë të pavarur, “Koha jonë”, ka lidhje pikërisht me 33-vjetorin e saj dhe vetë Nikoll Lesi tha se këtë titull e ndante me të gjithë ata që kontribuuan për të.
Presidenti Begaj falenderoi botuesin për kontributin në emancipimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet gazetës që krijoi dhe rriti me shumë punë e sakrifica.
Në ceremoninë e organizuar në presidencë merrnin pjesë miq e kolegë të botuesit, shumica e të cilëve gazetarë të njohur, shkolla e parë e të cilëve ka qenë gazeta ‘Koha Jonë’.
Gazeta “Koha Jonë” është e para gazetë e pavarur dhe private në Shqipëri. Ajo filloi botimin një herë në javë si gazetë lokale e rrethit të Lezhës, duke u kthyer brenda një viti në një gazetë të kërkuar e ku në vitin 1994 u bë gazeta më e madhe, e përditshme, e Shqipërisë dhe arriti kulmin në ngjarjet e vitit 1997 në 82 mijë kopje të shitura në ditë.
Ajo u përball me mjaft peripeci e vështirësi gjatë viteve të ekzistencës së saj, që nga djegia e redaksisë, arrestimi i gazetarëve dhe torturimi i njërit prej tyre, Zamir Duke, i cili ndërroi jetë pak javë më parë.