Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili i dorëzoi zyrtarisht Raportin e Progresit të Shqipërisë në rrugëtimin evropian.

“Ditë e mirë për Shqipërinë”, u shpreh Presidenti i Republikës, duke iu referuar hapjes së negociatave për kapitujt themelorë. Kreu i Shtetit e vlerësoi Progres-Raportin 2024 si nxitje për të gjithë aktorët shqiptarë, që të punojnë së bashku edhe më fort në arritjen e objektivit të përshpejtimit të procesit që synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Përfundimisht, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, – theksoi Presidenti Begaj, i cili shprehu bindjen edhe për hapjen e kapitujve të tjerë në negociatat me BE-në para fundit të këtij viti, gjatë Presidencës hungareze.

Presidenti i Republikës i përcolli Ambasadorit Gonzato mirënjohjen ndaj Brukselit zyrtar dhe Presidentes së Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, për mbështetjen, vullnetin e mirë ndaj Shqipërisë si edhe besimi ndaj progresit të arritur në përmbushjen e reformave integruese.

Presidenti i Republikës vlerësoi si inkurajues faktin që zgjerimi i unionit në Ballkanin Perëndimor është rikthyer fuqishëm në agjendën politike të Bashkimit Evropian. “Bashkimi Evropian, duke ndjekur një politikë të besueshme zgjerimi, mundëson nxitjen e reformave dhe të shpresës për integrimin e plotë evropian të Ballkanit Perëndimor”,- vlerësoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb