Presidenti i Francës Emmanuel Macron arriti të enjten në mbrëmje në Beograd, për të forcuar lidhjet me Serbinë dhe për ta afruar atë me Perëndimin, ndërsa vendi ballkanik rrugëton në vijën e ngushte midis përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Gjatë vizitës së tij dyditëshe, Presidenti Macron pritet të diskutojë me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, një gamë çështjesh, përfshirë blerjen e avionëve francezë Rafale si dhe çështjet e energjisë dhe inteligjencës artificiale.
Në një shkrim autorial të publikuar të enjten në të përditshmen pro qeveritare të Serbisë Politika, Presidenti Macron shkroi se Beogradi mund të ruajë qëndrimin e tij të pavarur “vetëm nën kujdesin e BE-së”.
“Me shpërthimin e luftës në kontinentin tonë, të nisur nga Rusia, … ideja se Serbia mund të kërkojë rrugën e saj në lojën e përjetshme të drejtpeshimit midis fuqive… është thjesht një iluzion”, shkroi ai.
Bashkimi Evropian mbetet investuesi më i madh në Serbi dhe qindra mijëra serbë punojnë në kompanitë perëndimore.
Të mërkurën vonë, Presidenti serb Vuçiç tha se kishte ende çështje të pazgjidhura lidhur me synimin e Serbisë për të blerë avionët Rafale, një blerje prej rreth 3 miliardë eurosh.
“Nuk është çështja e çmimit, është çështje e garancive të caktuara… ne jemi duke punuar me këtë çështje për katër ditë me radhë”, tha ai në një intervistë me televizionin shtetëror serb./voa.