TIRANË

Të thuash të vërtetën në futbollin shqiptar është e vështirë në ditët e sotme. “Panorama Sport” denoncoi pak ditë më parë vendimin e FSHF-së për licencimin e një fushë sportive pa asnjë kriter për të luajtur në Superiore si ajo e Fushë-Krujës.

Të gjithë e panë se çfarë ndodhi sot në ndeshjen Kastrioti-Tirana 1-0, e cila u vendos nga një penallti skandaloze e akorduar nga gjyqtari i dhjetëra gabimeve me emrin Olsi Sokoli. Në përfundim të ndeshjes pati edhe përleshje, duke konfirmuar edhe njëherë se ky impiant nuk plotëson kriteret minimale për sigurinë.

“Panorama Sport” pasqyroi pamjet e dhunës siguruar nga “Supersport” dhe vetëm një orë më pas, një telefonatë e mbërritur në redaksi në orën 16:55 nga presidenti i Kastriotit, Alban Vogli, konfirmoi se në çfarë bataku ka rënë sot një pjesë e futbollit shqiptar dhe kush e drejton atë.

Drejtuesi i klubit krutan ka kërcënuar dhe ka fyer kryeredaktorin e gazetës “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj. Ai ka dashur ta intimidojë për publikimin e ngjarjeve të fundit, duke e kërcënuar për shkak të detyrës.

Gazeta “Panorama Sport” denoncon këtë akt primitiv dhe bën me dije se nuk do të tërhiqet kurrë për të thënë të vërtetën për lexuesin e saj në gjithë shqiptarinë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb