Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me dekret shkarkoi ambasadorin e mëparshëm në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, nga ajo pozitë, si dhe nga pozicioni i vëzhguesit të përhershëm të Federatës Ruse në Organizatën e Shteteve Amerikane.
Siç raporton Interfax, dekreti presidencial i 10 tetorit u publikua në portalin zyrtar të internetit të informacionit ligjor.
Ministria e Punëve të Jashtme ruse njoftoi të shtunën e kaluar se Antonov kishte përfunduar shërbimin e tij në Uashington. Diplomati u emërua si ambasador rus në SHBA në gusht 2017.
Më 7 tetor, ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, u tha gazetarëve se aktualisht po punohet për zgjedhjen e një ambasadori të ri rus në SHBA, i cili do të zëvendësonte Antonov.
“Ambasadori ka punuar për ne për një kohë të gjatë. Ai ka punuar në kushte vërtet të vështira, kur marrëdhëniet (me SHBA) ishin praktikisht në zero. Ai punoi pa kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të administratës amerikane. Puna ishte e vështirë”, tha Ushakov.
Ai shtoi se Antonov “e kreu me sukses misionin e tij” dhe se “tani është koha që një person tjetër të emërohet në këtë post të rëndësishëm”.