Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i kërkoi të premten Perëndimit që të mbështesë Ukrainën kundër pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, ndërsa Kievi po përballet me shqetësimet se çfarë pritet pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së.

Biden ka folur para gazetarëve përpara takimit me dyer të mbyllura me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në udhëtimin njëditor në Berlin. Këtë vizitë ai e ka zhvilluar për të diskutuar lidhur me Ukrainë e konfliktin në zgjerim në Lindjen e Mesme.

“Ndërsa Ukraina po përballet me një dimër të ashpër, ne duhet, duhet ta mbajmë vendosmërinë tonë”, tha Biden në një deklaratë. “Dhe e di që kostoja është e rëndë, por mos gaboni, kjo vlen në krahasim me koston e jetës në një botë ku mbizotëron agresioni, ku shtetet e mëdha sulmojnë dhe ngacmojnë më të voglat thjesht sepse munden”.

Ai tha se do të diskutonte me Scholzin përpjekjet e vazhdueshme për të rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe për të mbështetur infrastrukturën e saj të energjisë me anë të aseteve të ngrira ruse. Ata raportohet se do të diskutojnë gjithashtu konfliktin në Lindjen e Mesme, raporton Reuters.

Udhëtimi i Bidenit vjen vetëm 2 javë e gjysmë përpara votimit presidencial në SHBA, ku ish-presidenti Donald Trump, kandidati republikan, po kërkon rizgjedhjen në një garë të nxehtë kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, kandidate demokrate.

Trump ka sinjalizuar se do të ishte më ngurrues sesa Bideni për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës, e cila mund ta privojë Kievin nga mbështetësi i saj më i madh ushtarak dhe financiar.

Ai ka treguar gjithashtu se ndihma e SHBA-së për aleatët në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s do të vijë me kushte të bashkangjitura.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb