Ceremonia e 77 vjetorit të Konferencës së Pezës duket se shkriu akujt sot mes Presidentit të Republikës dhe anëtarëve të maxhorancës socialiste.

Kryebashkiaku Veliaj i pranishëm në ceremoni u shpreh disa herë se bie dakord me kreun e shtetit, ashtu si edhe për apelin e shumë kërkuar prej tij kohët e fundit në situatën e krizës politike “pluralizmi politik”.

Presidenti me të drejtë tha sot ka nisur shkolla, për të mësuar gjuhën, gjuhët e huaja por edhe historinë e lavdishme. Një shkollë më të madhe se Peza ende nuk kemi në libra. Ky komb nuk ka lindur prej hiçit. Një gazetar me humor tha mblidhemi të gjithë këtu me katunarët ditën e Pezës. Inteligjenca buron nga fshati jo nga kafetë e Tiranës, apo nga gjithollogët. Është momenti për të reflektuar pak e të kthejmë kokën nga fshati. Harrojmë të themi se Shqipëria u pushtua para Polonisë por është i vetmi vend që u lirua me forcat e veta.

Shpesh them 1001 të zeza me njëri tjetrin, jo vetëm në kafene po edhe në debate politike, por mos harrojmë të themi disa të mira për njëri tjetrin. Ka qenë edhe një hapësirë pluralizmi, ka qenë edhe një hapësirë ku njerëzit pa dallim feje, krahine, dallim bindjesh politike u mblodhën bashkë. Megjithatë të gjithë e dimë që pluralizmi ishte këtu në Pezë por kur u shkrepën armët vetëm partizanët vajtën për të luftuar, ndaj patjetër që duhet ta inkurajojmë pluralizmin por kudo edhe kur shkojmë në kuti të votimit edhe kur shkojmë dhe flasim me kancelarit e huaja edhe kur përfaqësojmë bindje të ndryshme, ama kurrë nuk do të shkrehim pushkë kundër Shqipërisë edhe pushka sot nuk është vetëm me plumb, pushka është edhe me çfarë flasim edhe me çfarë shkruajmë edhe me mënyrën se si ndonjëherë sikterisim vendin tonë. Ndaj dhe unë dua ti bashkohem asaj thirrje “duhet pluralizëm por kudo” në çdo fushë edhe kur kemi këto betejat, nuk mundet pluralizëm në tavolinë dhe vetëm partizanët në luftë kurse të tjerët bëjnë komentin se si u luftua në luftë.

Ndërsa në kuadër të 75 vjetorit të çlirimit të vendit, Veliaj theksoi se do të organizohen një sërë aktivitetesh në mënyrë që lufta antifashiste të marrë vlerësimin e duhur. “Është shumë e rëndësishme që të gjithë të mobilizohemi që ky vit jubilar të na gjejë jo vetëm me aktivitete por edhe me shumë dinjitet. Sot duhet ta pranojmë; ky dinjitet nuk na shoqëron kudo. Ju e patë se si u përfshi gjithë parlamenti shqiptar kur Bashkia vajti të çlironte bustin e Vojo Kushit sepse kishim deputetë që ishin pronarë të bingove e basteve aty.

Tani, o do jetojmë këto që flasim sot ose do jemi hipokritë; të tjera gjëra themi këtu e të tjera gjëra bëjmë atje. Do t’ju lutem të gjithëve, të 27 administratorëve të Tiranës, 61 kryetarëve të Bashkisë. Identifikojini këto vende, çlirojini nga zaptuesit, mos lejoni asnjëri me pushte, qoftë deputet apo kushdo tjetër, i fortë, oligark, nuk ka asnjë rëndësi. Vendet e shenjat janë vende të shenjta dhe për ne, vendet ku ra Vojo Kushi, Qemal Stafa, janë vende të shenjta e nuk mund të zaptohen nga asnjeri me pushtet, ndaj o burra të bëjmë një aksion qytetar siç bëmë për pastrimit, ashtu të bëjmë edhe për çlirimin e çdo hapësire publike!”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb