TIRANE- Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i ftuar në emisionin  ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ , ku ka folur ndër të tjetra për çështjen ‘Xhisiela’ dhe ‘Babalen’, çështje që kanë trazuar politikën shqiptare.

Për çështjen e audio përgjimit ku pretendohet nga opozita se shfaqet vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj në pazare droge, Meta tha se duhet më shumë transparencë nga qeveria që të mos lërë shteg për opozitën për të hedhur akuza. Po sipas tij dhe opozita duhet ti ketë më të faktuara akuzat që hedh kundër qeverisë, për të qenë më e besueshme.

“E theksoj se është e domosdoshme të kemi një qasje më transparente nga ana e qeverisë dhe qasje më racionale nga ana e opozitës. Në rast se nga ana e qeverisë do të ketë reagime më të shpejta, për rastet kur ka shqetësime, denoncime nga qytetarët, ngjarje kriminale, pra kur del dikush përpara përgjegjësisë në kohën e duhur, atëhere lihet më pak hapësirë për opozitën apo për opinionin dyshues. Së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë se nismat apo edhe denoncimet të saj të jenë sa më të mirëfaktuara, me qëllim goditjen e këtyre dukurive, parandalimin e tyre, dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si një mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilët ajo nuk ka besim”- tha Meta.

Ndërkohë sa i përket çështjes ‘Xhisiela’ presidenti kërkoi që organet e drejtësisë të nxjerrin para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.

“Letra e Nuhut ka mbërritur në tavolinën time vetëm një ose dy ditë përpara se unë të nisesha për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra nga mesi i shtatorit. Janë kërkuar të gjitha sqarimet dhe ky është një proces që vazhdon lidhur me çështjen në fjalë. Por mendoj që çështja është delikate dhe e mprehtë sepse në rast se nuk sqarohet në mënyrë të besueshme dhe transparente, do të krijojë një dyshim të madh për të ardhmen e mënyrës së funksionimit të shtetit ligjor, të Policisë së Shtetit, të Prokurorisë dhe të raporteve të Ekzekutivit me to. Dhe, së dyti, sqarimi i saj në mënyrë të plotë dhe të besueshme do të kontribuojë në rritjen e besimit te këto institucione, por edhe në mos përsëritjen e ngjarjeve të tjera”- tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb