Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Greqi, Kyriakos Mitsotakis ka uruar sot Presidentin e Republikës, Ilir Meta me rastin e marrjes së detyrës me një telegram ku i përmend edhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri.

Në telegramin e tij të urimit, Mitsotakis vlerëson marrëdhëniet e mira mes Greqisë e Shqipërisë si edhe shprehet besimplotë në kontributin pozitiv të Presidentit Meta në qëndrueshmërinë e rajonit.

MESAZHI I URIMIT
“Dëshiroj t’ju përgëzoj me rastin e marrjes së detyrës si Presidenti i Republikës së Shqipërisë! Jam i vetëdijshëm rreth përkushtimit tuaj ndaj perspektivës evropiane të vendit tuaj dhe mbetem besimplotë se në cilësinë e re, ju do të aderoni në këtë drejtim duke kontribuuar kështu në begatinë afatgjatë të Shqipërisë dhe qëndrueshmërinë e rajonit tonë.
Nga ana jonë, Demokracia e Re dhe unë personalisht mbështesim me konsekuencë integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, në institucionet euro-atlantike. Në këtë kontekst ne i konsiderojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri si të një rëndësie shumë të madhe. Ju uroj një mandat presidencial të suksesshëm në interes të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe qëndrueshmërisë e mirëqenies së rajonit tonë!”, – thekson në telegramin e urimit z. Mitsotakis.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb