Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Tokio, Presidenti i Republikës Ilir Meta u prit sot në një takim të nga Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe shprehu dëshirën që bashkëpunimi i deritanishëm të thellohet më tej në të gjitha fushat, në veçanti në realizimin e investimeve të reja japoneze në Shqipëri.


“Japonia është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, – u shpreh Kreu i Shtetit.


Presidenti Meta duke vlerësuar rritjen e interesit të turistëve japonezë për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e heqjes së vizave nga Japonia për të gjithë qytetarët shqiptarë, sa më shpejt, që të rriten më tej shkëmbimet njerëzore midis dy vendeve.


Kryeministri Abe premtoi se do ta konsiderojë këtë kërkesë të Presidentit Meta. Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi edhe asistencën financiare dhe teknike të dhënë nga Japonia nëpërmjet Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA).

“Nisma e Kryeministrit japonez Abe për Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme sepse i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit tonë”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në këtë drejtim Presidenti Meta theksoi se ka ardhur koha që Kryeministri Abe të vizitojë Tiranën për t’i dhënë një hov të ri bashkëpunimit, jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjithë rajonin tonë. Nga ana e Tij, Kryeministri Abe premtoi se do ta konsiderojë këtë mundësi sa më shpejt të jetë e mundur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb